Biden kërkon rivendosjen e marrëdhënieve me Kinën

Në Samitin e Azi-Paqësorit liderët do të kërkojnë mbajtjen e linjave të hapura të komunikimit

Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik i Azi-Paqësorit në San Francisko do të synojë rivendosjen e marrëdhënieve tashmë të tensionuara mes SHBA-së dhe Kinës.

Presidenti Biden do të takohet personalisht me homologun kinez Xi Jinping për herë të parë në një vit të mërkurën gjatë samitit. Ky do të jetë vetëm takimi i dytë personal midis dy liderëve që kur Biden mori detyrën në Janar 2021.

“Presidenti është i vendosur të shohë rivendosjen e lidhjeve ushtarake, sepse ai beson se është në interesin e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Ne kemi nevojë për ato linja komunikimi në mënyrë që të mos ketë gabime ose keqkomunikim,” tha Sullivan në një intervistë për “Face the Nation” të CBS.

Si Biden ashtu edhe lideri kinez po kërkojnë një stabilitet në një marrëdhënie që po përcaktohet nga dallimet mbi kontrollet e eksporteve, tensionet mbi Tajvanin, luftërat në Lindjen e Mesme dhe Evropë etj. Sipas Reuters presidenti amerikan gjatë këtij samiti do të kërkojë mbajtjen e linjave të hapura të komunikimit për të parandaluar keqkuptimet që mund të çojnë në konflikt të drejtpërdrejtë midis dy fuqive. Nga ana tjeter pritet që lideri kinez të kërkoje nga Biden garanci se nuk do të mbështesë pavarësinë e Tajvanit dhe nuk do të fillojë një luftë të re të ftohtë.

“Kinezët në thelb i kanë ndërprerë ato lidhje komunikimi. Presidenti Biden do të donte ta rivendoste atë. Kjo do të jetë  një pikë kryesore e rendit të ditës”, tha Sullivan.

Biden-Xi Jinping do të diskutojnë gjithashtu edhe për pushtimin rus në Ukrainë, lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë, Indo-Paqësorin, të drejtat e njeriut, inteligjencën artificiale.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u tensionuan pasi Biden urdhëroi rrëzimin në Shkurt të këtij viti të një balone të dyshuar spiune kineze që fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara. Por zyrtarë të lartë të administratës Biden kanë vizituar që atëherë Pekinin dhe janë takuar me homologët e tyre për të rindërtuar komunikimin.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share