Biden fiton zgjedhjet paraprake në Michigan

Ai përballet me kundërshtime nga arabo-amerikanët për luftën e Izraelit në Gaza, Trump mposhti Nikki Haley-n në Michigan

Presidenti Joe Biden arriti të korrte një fitore dërrmuese në zgjedhjet paraprake në Michigan pavarësisht se u përball me kundërshtime për qëndrimin e tij ndaj luftës në Gaza.

Biden fitoi 80% të votave. Ai falenderoi “çdo banor që bëri që zëri i tyre të dëgjohej”. Në një deklaratë që nuk i referohej fushatës kundër tij, ai përshëndeti arritjet e administratës së tij në shtet dhe sulmoi rivalin e tij Donald Trump.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Michigan ka përqindjen më të madhe të arabo-amerikanëve në vend, por mbështetja e Biden për Izraelin gjatë fushatës së tij ushtarake në enklavën palestineze të Gazës duket se e ka ulur mbështetjen. Fitorja e Bidenit në zgjedhjet paraprake demokrate erdhi me një paralajmërim nga progresistët, votuesit e rinj dhe demokratët arabo-amerikanë në formën e një votimi proteste “të paangazhuar” që do të thotë se ata hodhën votën e tyre , por mbetën të papërkushtuar ndaj kandidatëve në fletëvotim.

Lëvizja “Dëgjo Miçiganin”, e krijuar nga kongresmenja palestinezo-amerikane Rashida Tlaib, synoi t’i dërgojë një mesazh Bidenit.

“Ndryshoni kursin për luftën e Izraelit në Gaza ose rrezikoni të humbni një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes në atë që mund të jetë një shtet vendimtar i zgjedhjeve të përgjithshme”, ishte ky mesazhi.

Nga ana tjetër ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fitoi zgjedhjet presidenciale republikane me 64% të votave në Michigan me një diferencë të madhe, sipas parashikimeve, duke forcuar më tej kontrollin brenda partisë pasi Nikki Haley, rivalja e tij e fundit e mbetur, doli në vendin e dytë.

Michigan pritet të luajë një rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale e nëntorit, mes Bidenit dhe Trump. Biden mundi Trump në Michigan me vetëm 2.8 pikë përqindje në zgjedhjet e 2020.

Michigan është shtëpia e mbi 300,000 votuesve arabo-amerikanë dhe myslimanë dhe pati pjesëmarrjen më të lartë mbarëkombëtare të votuesve të rinj, të moshës 18 deri në 29 vjeç, në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022.

Shumë në komunitetin arabo-amerikan të Miçiganit që mbështetën Biden në vitin 2020 tani janë të indinjuar, së bashku me disa demokratë përparimtarë, për mbështetjen e Biden për ofensivën e Izraelit në Gaza. Gjuha e Bidenit për luftën në Gaza është ashpërsuar kohët e fundit ndërsa numri i të vdekurve rritet dhe kritikat e administratës së tij ndaj Izraelit janë bërë më të mprehta. Në fillim të këtij muaji, Biden ka shprehur shqetësim të shtuar për viktimat palestineze dhe ka theksuar nevojën për një shtet të ardhshëm palestinez të pavarur.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share