Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka bllokuar zyrtarisht marrjen e çelikut amerikan nga një kompano e madhe japoneze, duke thënë se pronësia e huaj mund të përbëjë rreziqe për sigurinë kombëtare.
Vendimi i diskutueshëm vjen një vit pasi Nippon Steel njoftoi për herë të parë marrëveshjen prej 14.9 miliardë dollarësh, duke e përshkruar atë si një mjet shpëtimi për rivalin e tij më të vogël me bazë në Pensilvani.
Por transaksioni shpejt ra në telashe politike, pasi drejtuesit e sindikatës së United Steelworkers kundërshtuan me zë të lartë marrëveshjen, duke sjellë presion politik në një shtet kyç gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2024-ës.
Ndërkohë, Nippon Steel ka mohuar më parë se planifikonte të reduktonte prodhimin ose të shkurtonte vendet e punës, ndërsa US Steel kishte paralajmëruar se mund t’i duhej të mbyllte fabrikat pa investimin që do të vinte me një pronar të ri.
Këto shqetësime u bënë jehonë nga disa punëtorë dhe politikanë vendas, shkruan BBC.
Grupe të tjera biznesi thanë se kishin frikë se refuzimi i transaksionit do të ftohte klimën për investime ndërkombëtare në SHBA.
Por Biden ka shprehur kundërshtim të gjatë ndaj marrëveshjes.
Raportohet se transaksioni është kritikuar gjithashtu nga presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe zëvendëspresidenti i ardhshëm, JD Vance.
Një panel i qeverisë amerikane i ngarkuar me rishikimin e marrëveshjes për rreziqet e sigurisë kombëtare nuk arriti një konsensus deri në fund të dhjetorit, duke ia lënë vendimin Bidenit, të cilit iu kërkua të vepronte brenda një afati 15-ditor.
Në njoftimin e tij të premten ai tha se ruajtja e pronësisë së SHBA-së ishte e rëndësishme për të mbajtur të fortë industrinë e çelikut dhe zinxhirët e saj të furnizimit.
“Siç e kam thënë shumë herë, prodhimi i çelikut – dhe punëtorët e çelikut që e prodhojnë atë – janë shtylla kurrizore e kombit tonë”, tha Biden.
“Kjo është për shkak se çeliku fuqizon vendin tonë, infrastrukturën tonë, industrinë tonë të automjeteve dhe bazën tonë industriale të mbrojtjes. Pa prodhimin vendas të çelikut dhe punëtorët vendas të çelikut, kombi ynë është më pak i fortë dhe më pak i sigurt”, shtoi ai.
Ndryshe, Nippon Steel dhe US Steel kanë sugjeruar më parë se mund të ndjekin veprime ligjore kundër qeverisë nëse marrëveshja nuk ndodh.