Beteja të ashpra rreth Al-Shifa në Gaza

Ushtria izraelite akuzon Hamasin se fshihet në spitalin kryesor, luftimet zbrazin veriun e Gazës ndërsa kriza përkeqësohet

Forcat izraelite bombarduan Gazën jugore pasi tanket avancuan në portat e spitalit më të madh të enklavës në veri, ku zyrtarët shëndetësorë thonë se dhjetëra pacientë, përfshirë foshnja, kanë vdekur për shkak të mungesës së energjisë dhe luftimeve të rënda.

Human Rights Watch ka kërkuar që sulmet e Izraelit ndaj spitaleve të Gazës të hetohen si krime lufte. Të paktën 13 persona u vranë kur forcat izraelite sulmuan shtëpitë e tyre në qytetin jugor të Khan Younis, thanë zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Ushtria izraelite ka publikuar një video që tregon municionet e ruajtura nga Hamasi në bodrumin e një spitali ku trajtoheshin fëmijët me kancer në Gaza.

Zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari shprehet se në këtë vend kishte gjithashtu shenja se militantët kishin mbajtur pengjet të cilët u rrëmbyen në datën 7 Tetor. Sipas tij bodrumi përdorej nga militantët si qendër komandimi për sulmet, ku ata kishin fshehur gjithashtu edhe eksplozivë dhe granata.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë ditur se spitali më i madh i qytetit të Gazës, Al-Shifa, është “pothuajse një varrezë”. Dyshimet u ngritën nga drejtori i këtij spitali ku deklaroi se 179 njerëz janë varrosur në një varr masiv në këtë kompleks. Shqetësimet rriten teksa foshnjet dhe pacientët me dializë rrezikojnë të humbasin jetën pas mbarimit të karburantit.

Tom Potokar, një kirurg kryesor në Gaza e ka përshkruar situatën të pamëshirshme.

“Situata është bërë shumë e vështirë për shkak të mungesës së karburantit. Për të gjithë anestezistët ngarkesa është tepër e madhe për shkak të numrit të lartë të të plagosurve. Çdo ditë këtu ka histori të tmerrshme, ku shumë prej tyre humbasin të gjithë anëtarët e familjes.”

Hamasi ka deklaruar se është gati të lirojë 70 gra dhe fëmijë të mbajtur në Gaza në këmbim të një armëpushimi pesë-ditor një ofertë që Izraeli nuk ka gjasa ta pranojë. Ndërkaq 200,000 njerëz të tjerë kanë ikur nga Gaza veriore që nga 5 Nëntori, sipas zyrës humanitare e OKB-së.  Më shumë se 11,000 njerëz janë konfirmuar të vrarë nga bombardimet izraelite, rreth 40% e tyre fëmijë.

Ndërkaq ne lidhje me situatën në Gaza presidenti i SHBA Joe Biden ka deklaruar se spitalet duhet të mbrohen. Komentet e tij erdhën pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak i kërkoi Izraelit të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur civilët në Gaza dhe bëri thirrje për një pauzë urgjente humanitare.

Gjithashtu Kina, Irani dhe disa shtete arabe kanë dënuar deklaratën e ministrit izraelit të Trashegimisë, i cili  u shpreh se hedhja e një bombe bërthamore në Rripin e Gazës ishte një opsion në luftën Izrael-Hamas, duke e quajtur këtë qëndrim si kërcënim për botën. Shumë ambasadorë dënuan dhe kritikuan deklaratat e bëra nga ministrit Amihai Eliyahu, i cili më vonë i quajti deklaratat e tij si “metaforike”.

Bastisjet intesifikohen edhe në Bregun Perëndimor ku gjashtë palestinezë u vranë në qytetin perëndimor të Tulkarm nga forcat izraelite. Përkeqësimi i dhunës ka nxitur frikën se në Bregun Perëndimor mund të shpërthejë një konflikt më i madh dhe të bëhet një front i ri në luftën Izrael-Hamas.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share