Besimi: Pesë shtylla për rritjen e PBB-së prej 5% – kapitali njerëzor, investimet, politikat e qëndrueshme, eurointegrimi dhe konsensusi shoqëror

Zhvillimi i kapitalit njerëzor, nxitja e investimeve dhe politikat e qëndrueshmërisë janë tre faktorët, që së bashku me procesin e integrimit evropian dhe konsensusin shoqëror për procesin e reformave do të kontribuojnë në përshpejtimin e rritjes ekonomike drejt normave të nevojshme prej 5%.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit thekson se me konsistencën e politikave zhvillimore ekonomike dhe përmes konsensusit kombëtar, mund të përshpejtohet konvergjenca e standardeve të jetesës.

Besimi po ashtu thekson se çdo ditë e kaluar jashtë BE-së është mundësi e humbur për ne, duke parë shembullin e ish vendeve në tranzicion, të cilat me anëtarësimin në BE fituan qasje në rreth 30 herë më shumë mjete përmes fondeve të BE-së për banor në krahasim me IPA-në që i kemi në dispozicion para anëtarësimit në BE. Ata gjithashtu kanë qasje në Tregun e Përbashkët Evropian dhe shumë përfitime të tjera, ndër të tjera avantazh në lidhje me investimet e huaja direkte si vende anëtare të BE-së.

“Rritja vjetore gjatë dy dekadave të fundit ishte mesatarisht rreth 2.5% e PBB-së. Sipas skenarëve për rritjen e ekonomisë në njëzet vitet e ardhshme projektohet rritje mesatare vjetore reale e PBB-së prej 2.6%. Por, mund ta dyfishojmë këtë rritje pothuajse në 5% për konvergjencë më të shpejtë me ekonominë evropiane, duke vepruar sipas fushave të mëposhtme, të cilat janë pjesë e Strategjisë nacionale të zhvillimit: 1. Ekonomia e qëndrueshme, inovative dhe konkurruese, 2. Zhvillimi i qëndrueshëm lokal dhe rajonal, i cili siguron kohezionin, 3. Rivitalizimi demografik dhe zhvillimi social dhe kulturor, 4. Sundimi i ligjit dhe mirëqeverisja, 5. Shoqëria e sigurt dhe rezistente dhe 6. Transformimi i gjelbër dhe dixhital, shkruan ministri Besimi.

Ministri thekson se burimi më i vlefshëm që kemi dhe në zhvillimin e të cilit duhet të investojmë është kapitali njerëzor.Sipas indeksit të kapitalit njerëzor të Bankës Botërore, fëmijët tanë shfrytëzojnë vetëm gjysmën e potencialit të tyre kur arrijnë moshën e aftësisë për punë, respektivisht 25-30% më pak se fëmijët që jetojnë në vendet e zhvilluara.  

Është thelbësore që të vazhdohet me zbatimin e Strategjisë së zhvillimit të kapitalit njerëzor, pasi këto nuk janë politika afatshkurtra dhe kërkojnë vullnet politik shumëvjeçar, përkushtim dhe konsistencë për arritjen e rezultateve të duhura. Me zhvillimin e kapitalit njerëzor vijon edhe specializimi i zgjuar për krijimin dhe ristrukturimin e kuadrove që do t’i përgjigjen nevojave të ekonomisë, respektivisht tregut të punës. Mbajtja e kuadrove në vend është një tjetër hallkë e zinxhirit, nëpërmjet krijimit të kushteve më të mira jetësore, madje edhe më tej tërheqjen e kuadrove profesionistë nga vendet e tjera (nomadët globalë) apo të ashtuquajturën tërheqje të intelektit („brain gain“), thotë Besimi dhe shton se përkrahja e produktivitetit të faktorit të zhvillimit mund të përforcohet përmes dixhitalizimit.

Faktori i dytë që duhet të veprojmë është kapitali, respektivisht investimet.

Një nga pyetjet kryesore është se si të pozicionohemi më mirë në hartat e investitorëve të huaj. Përgjigja për këtë pyetje qëndron në politikat e përkrahjes së investimeve (transparente, me përfitime tatimore dhe procedura të thjeshtësuara), sundimit të ligjit, zhvillimit të infrastrukturës, investimit në kapitalin njerëzor dhe sigurimit të kuadrove profesionale, mjedisit politik stabil, qasjes në tregje, marrëveshjet tregtare, investimit në zonat ekonomike dhe lidhjes globale. Po aq i rëndësishëm është stimulimi i investimeve vendase, nxitja e sipërmarrësisë dhe inovacionit, veçanërisht në teknologjitë e reja që zakonisht sjellin vlerë të shtuar shumë më të lartë. Në kuadër të zhvillimit të faktorit të dytë të prodhimit, financave, do ta veçoj Planin e përshpejtimit të rritjes, i cili nëpërmjet zgjidhjeve inovative orientohet drejt multiplifikimit të kapitalit publik dhe privat dhe vendosjes së tij në funksion të zhvillimit, thekson Besimi.

Ministri më tej thekson se si faktor jo më pak i rëndësishëm për rritjen ekonomike është qëndrueshmëria, si e mjedisit natyror, ashtu edhe e politikave dhe nënvizon se zhvillimi i politikave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme të bazuara në dëshmi ka rëndësi esenciale për zhvillimin ekonomik.

Besimi po ashtu thekson se pa një konsensus kombëtar për një strategji ekonomike afatgjate, e cila do të sigurojë konsistencë në reforma dhe politika, fatkeqësisht nuk mund të presim progres të theksuar afatgjatë.

“Vetëm së bashku dhe me njohuri mund të hapërojmë më shpejt dhe të arrijmë më tej. Natyrisht, në këtë drejtim ka hapësirë të mjaftueshme për një garë idesh dhe zgjidhjesh. Me përkushtim për një strategji të vetme për rritje të qëndrueshme afatgjate, ndryshimet në dhjetë dhe njëzet vitet e ardhshme do të jenë të mëdha. Bëhet fjalë për rritje më të shpejtë të standardit jetësor (rritje e PBB-së për banor prej 70%), ulje më të theksuar të nivelit të varfërisë (prej 6.1% në 0.4% e personave me të ardhura ditore prej 2.15 dollarëve) dhe krijim të një shoqërie moderne evropiane me prosperitet.”, shkruan Besimi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share