BERZH: Rritja e BPV-së së Maqedonisë së Veriut sivjet 2.0 për qind

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka përditësuar parashikimet e saj ekonomike për rajonet që i mbulon dhe vlerësimet për Maqedoninë e Veriut janë se rritja e BPV-së në vitin 2022 ka qenë 2.5 për qind, këtë vit do të jetë 2.0, ndërsa vitin e ardhshëm 3.0 për qind.

Siç bëri të ditur BERZH-i, vlerësimi për BPV-në të Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 është ulur për 0.2 për qind, ndërsa për këtë vit për 0.3 për qind në krahasim me raportin e fundit nga shtatori i vitit të kaluar.

Për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet se rritja e BPV-së vitin e kaluar ka qenë 3.0 për qind, këtë vit do të jetë 2.2 për qind dhe në vitin 2024 do të arrijë në 3.4 për qind.

Krahasuar me raportin dhe vlerësimin e fundit të BERZH-it nga shtatori, rritja e parashikuar e BPV-së për Ballkanin Perëndimor për këtë vit është ulur për 0.8 për qind, si rezultat i kërkesës së dobët të jashtme, inflacionit të lartë dhe kushteve më të shtrënguara të financimit.

Çmimet e larta të energjensave dhe inflacioni vazhdojnë të ndikojnë në perspektivën ekonomike të të gjitha rajoneve që i mbulon banka, të cilat përfshijnë tre kontinente. Parashikimet për rritje janë në rënie në më shumë se gjysmën e 36 ekonomive në të cilat punon BERZH-i, me shumë pak parashikime në rritje. Inflacioni mesatar në rajonet e BERZH-it në dhjetor ka rënë në 16.5 për qind, pasi arriti kulmin në 17.5 për qind në tetor.

BERZH-i vlerëson se rritja mesatare e BPV-së në rajonet që i mbulon vitin e kaluar ka qenë 2.4 për qind, këtë vit do të jetë 2.1 për qind dhe në vitin 2024 do të arrijë në 3.3 për qind.

Banka paralajmëron se raport më të plotë për perspektivat ekonomike do të publikojë në maj.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share