Huadhënësit ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Botërore, do të mbështesin një plan prej 4 miliardë eurosh (4.35 miliardë dollarë) për të larguar Maqedoninë e Veriut nga energjia me qymyr, tha kreu i BERZH për Reuters.
Marrëveshja, e cila pritet të shpallet në bisedimet për klimën COP28 në Dubai, që fillojnë më 30 nëntor, do të parashtrojë një plan për mbylljen e dy termocentraleve të qymyrit dhe zëvendësimin e tyre me 1.7 gigavat energji të rinovueshme.
“Qymyri në Maqedoninë e Veriut përfaqëson 40% të burimit të energjisë, kështu që është shumë i madh, është shumë i rëndësishëm”, tha presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso.
Plani ndjek përpjekjet e ngjashme për të larguar sa më shpejt fabrikat e qymyrit në Afrikën e Jugut, Indonezi, Vietnam dhe Senegal, me mbështetjen e qeverive, huadhënësve publikë dhe investitorëve privat.
Çmimi i tij, i barasvlershëm me 2.000 euro për secilin nga 2 milionë banorët e kombit ballkanik, nënvizon vështirësinë që hasin shumë vende të vogla, ose me të ardhura të ulëta, në financimin e një tranzicioni drejt energjisë më të pastër.
Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut ka punuar ndër vite për t’u larguar nga qymyri, pasi Kombet e Bashkuara në vitin 2018 e quajtën Shkupin vendin më të ndotur në Evropë.
Por në vitin 2021, u rihap termocentrali me qymyr, REK Oslomej, për të shkurtuar importet e energjisë elektrike. Të dy termocentralet me qymyr janë të vjetruara dhe me linjit, që është lloji më ndotës i qymyrit.
Një zëdhënës i Fondeve të Investimeve Klimatike të Bankës Botërore (CIF) konfirmoi se Maqedonia e Veriut ishte në garë për deri në 85 milionë dollarë financime koncesionare prej saj. Ai tha se plani i investimit, duke përfshirë shumën specifike të parave, do t’i shkonte organit drejtues të CIF për miratim në fillim të vitit të ardhshëm.
Renaud-Basso tha se krahas rreth 300 apo 400 milionë euro financime koncesionare, financimi do të vinte nga huadhënësit shumëpalësh si Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe sektori privat.
Një zëdhënës i IFC tha se tranzicioni i gjelbër, përfshirë Maqedoninë e Veriut, ishte një nga prioritetet e tij kryesore, por se nuk ishte në gjendje të konfirmonte ndonjë detaj të planit.
Banka Botërore nuk e ka komentuar këtë dhe as Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Maqedonia e Veriut iu bashkua Aleancës Powering Past Coal – një grup vendesh të angazhuara për të hequr gradualisht energjinë me qymyr – në vitin 2021.
Shteti e shtyu datën në 2030, në janar të vitit të kaluar, edhe pse synonte përfundimin deri në vitin 2027,
Vonesa dhe planet për të hapur dy miniera të reja qymyri mes shqetësimeve për sigurinë energjetike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, pasqyruan veprimet e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, por tërhoqën kritika nga aktivistët mjedisorë. /REL