Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama për lidhjet me ish-agjentin e FBI-së McGonigal.
“Në dosjen shqiptare gjithçka ekziston, ka vetëm një emër, Edi Rama, këshilltari i tij dhe miku i tij Agron Neza. Gjithçka është një dosje e tërë në të cilën lakohet emri i Edi Ramës 14 herë dhe personat a dhe b po kaq herë. Alison në intervistën e saj deklaron se ishin pikërisht këto marrëdhënie që e detyruan të denoncojë partnerin e vet për veprimtari të dyshimtë.
Ajo dispononte siç tha edhe fotografi të shumta të Ramës me McGonigal, të bëra në kryeministri, në dreka dhe darka, Shqipëri e restorantet më të kushtueshme të Neë York. Edi Rama arriti ta përdore fuqinë e FBI për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Unë nuk di nëse McGonigal ësshtë agjent i Rusisë sepse kjo do të kushtonte jetë njerëzish, qindra vite burgje por në rast të kundërt faqja më e zezë e dosjes McGonigal mbetet skenari i shkatërrimit të opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri. Skenar në tre etapa, e para në zyrat e McGonigal, e dyta sanksionimi i Sali Berishës.”
Ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestë me 11 shkurt në orën 12.
“Ndaj jam këtu sot përsëri për të ftuar qytetarët shqiptarë të flasin me gjuhën e tyre më datën 11 shkurt në ora 12. Shqiptarët kudo që janë, janë të ftuar të vërshojnë drejt Tiranës. Shqipëria po zien këdo ditë si kurrë më parë. 11 shkurti do jetë dita e protestës më të fuqishme që ka parë Tirana dhe më të madhe që është bërë ndonjëherë. Ndaj ftesa ime për shqiptarët është: të gjithë në protestë, për të ngritur zërin tonë kundër një regjimi të kalbur, për të larguar nga pushteti, një njeri që mund t’i vësh çdo epitet sot. Por unë po ndalem për të thënë, një të pabesë, i cili për karrigen e tij është i aftë të bëjë çdo gjë.”
Berisha shprehu po ashtu ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga tërmeti tragjik në Turqi e Siri dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.
“Kam shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për tërmetin që ka goditur Turqinë qendrore dhe Sirinë verilindore. Shpreh solidaritetin me familjet e viktimave sikundër uroj që të plagosurit të shërohen plotësisht”-përfundoi kryedemokrati./tvklan.al