Në një bashkëbisedim me banorë të Kombinatit, Astirit dhe Unazës në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se rrogat në Shqipëri janë 20-30% më të ulëta se në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati kujtoi kohën kur Shqipëria kaloi nga stadi i vendeve të varfëra me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura të mesme të larta.
“E kam konsideruar t’ja u them ju, arritjen më të madhe kur ne në vitin 2008 si komb kaluam nga grupi i kombeve të varfëra me të ardhura të ulëta, dhe kur e nisëm rrugën në vitin ’92, ne ishim në 3 kombet me të ardhura më të ulëta në botë. E kemi thjesht të themi që jemi Europë, në fakt ishim jo Afrikë po Afrika më e prapambetur gjithsej me 204 Dollarë në vit për frymë. Dhe arritëm me lumenjtë e djersës që derdhët ju, por dhe politika të drejta, që të kalojmë nga grupi i këtyre kombeve në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Pak kush e vlerësonte si indeks, por e vlerësonin qytetarët shqiptarë, të cilët merrnin rroga më të larta mesatare se të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, përfshi këtu Rumaninë dhe Bullgarinë. E vlerësonin të gjithë ata të cilët ndjenin suksesin në biznesin e tyre, e vlerësonin të gjithë ata të cilët e panë se u shkëputëm nga gjeneratorët që gumëzhinin në të katër anët dhe furnizoheshin me energji në biznese me çmimet më të leverdisshme në Europë. E ndjenin të gjithë të rinjtë sepse e panë që universitetet hapën dyert për ta”.
Ndërsa sot Berisha thotë se jo vetëm rrogat janë më të ulëta, por edhe ushqimet në vendin tonë janë më të shtrenjta se mesatarja e vendeve të BE-së.
“Kurse sot ku jemi? Sot jemi me rrogat më të ulëta në rajon. Me rroga 20-30% më të ulëta se në Kosovë. Sot mjeku, pedagogu i Universitetit merr gjysmën e kolegut të tij në Kosovë. Sot ne paguajmë ose blejmë në treg ushqime të larta me çmime 7 deri në 10% më të larta se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Në një kohë kur njeriu që tallet me të madh e të vogël të këtij vendi, njeriu që nuk ka ndjenja njerëzore, nuk është mirë t’i thuash se ai prind është, por çfarë prindi mund të jetë ai që mbyll kopshtin e 250 vogëlushëve”. /tvklan.al