Në mbledhjen e sotme me grupin parlamentar të PD-së, kreu i kësaj partie Sali Berisha foli dhe për sulmin ndaj tij ditën e protestës së 6 Dhjetorit.
Berisha u shpreh se akti i Gert Shehut ndaj tij ishte një atentat i organizuar nga Kryeministri i vendit Edi Rama, i cili më pas sipas tij manipuloi dhe faktet ligjore për ta nxjerrë agresorin si një të sëmurë psiqik.
“Tani jemi këtu dhe keni ndjekur të gjithë debatin që zhvillohet. Sot nuk ka asnjë njeri që vë në dyshim se krimineli i përzgjedhur ishte atë ditë në një mision të strukturuar, organizuar dhe nuk kishte asgjë rastësore. E para.
Por vijmë te një çështje e dytë. Edi Rama sipas disave ishte njeriu më i painteresuar. Unë ju them atyre se në Shqipëri, nuk ka një të dytë që të ishte i interesuar për atë gjë. Në Ballkan ishte i interesuar Vuçiçi se i ka shprehur ato. Por unë tani nuk kam pse të rri me teori të vjetra, sepse absolutisht njeriu më i interesuar ishte Edi Rama, për arsye se ai mendoi se në zhurmnajën e madhe të samitit do të mund të japë një goditje të përmasave të papërcaktuara, një goditje kundërshtarit politik dhe forcës që ai përfaqëson. E them këtë edhe njëherë sepse nuk ka njeri të dytë në Shqipëri që është më interesuar se ai. Tani atij opozita i ka dalë dore dhe nuk e kontrollon dot më asgjë.
Një akuzë pa baza nuk i shërben as shoqërisë shqiptare por unë e akuzoj atë sepse personi i cili kreu krimin, kamikazi i Edi Ramës ishte dhe është informator i policisë kriminale shqiptare. Prej kohësh, prej vitesh, i stazhonuar, i përdorur për ç’montimin e rrjeteve të drogës por edhe si vesh për xhaminë. Kjo, e përgenjështroi njëherë Met Rrumbullaku por jo për së dyti, se pastaj do i dalë emri i tij. Një informator, sigurisht nuk përjashtohet mundësia që të punojë dhe për të tjerë por ai është njeri që informon eprorin e tij për çdo gjë.
Kështu që, idetë se Gert Shehun e përdorën të tjerë janë të pabesueshme. E vërteta është kjo, ai deklaroi më parë se urdhrin ja ka dhënë një vëlla mysliman por pasi unë gjeta një pistë atë nuk e përmendën më. Vëllai mysliman që ja kërkoi sa herë martohet apo ka zgjedhje është Edi Rama, pse e them këtë prapë? Çfarë ndodhi pas aktit kriminal? Një kryeministër e dinte që një akt që s’ka ndodhur në 30 vjet si përgjegjësi do binte vetëm mbi të dhe ka vetëm një gjë në dorë, të garantojë gjithçka për një hetim të besueshëm e transparent. Rama faktoi se bëri gjithçka për të manipuluar hetimin. Në mes të mitingut zyra e tij dërgoi tek media më konfidente, që shpërndan çdo fake news për Sali Berishën, nga zyra e Fugës, media e Bolinos, dërgoi dokumentin pa asnjë vlerë ligjore për të deklaruar se Shehu ishte një i dezekuilibruar psiqik, Edi Rama u ra telefonave në 4 anët dhe mesazhet duke mashtruar liderë e personalitete se ai ka qenë një akt i një të sëmuri psiqik.
Gert Shehu mund të jetë mjekuar dhe nuk dyshoj fare në atë që ka shkruar mjeku, por gjykata ka rregullat e veta për të përfillur një dokument. Dokumentet e tij janë me 0 vlerë, ato janë të rrezikshme pasi fare mirë me manipulim lëshojnë kriminelët para akteve të tyre, absolutisht jo ligjore dhe shumë të gabuara. Mjeku që ka lëshuar dokumentin nuk pretendon se ajo është një ekspertizë por epikrizë që ja kanë kërkuar familjarët por thotë se ja ka dorëzuar policisë. Policia nuk ka fare të drejtë të kërkojë një dokument të tillë”, deklaroi Sali Berisha. /tvklan.al