“Blendi Gonxhe, kulmi i zi i aleancës me krimin”
Thirrjeve të protestuesve që ishin mbledhur poshtë dritares së tij në atë që e ka pagëzuar si “Rruga e Lirisë”, Sali Berisha iu përgjigj edhe këtë të martë.
Edi Ramën dhe kabinetin qeveritar i cilësoi “bandë në pushtet”, duke mos kursyer akuzat e forta në adresë të dy prej ministrave. Të parin shënjestroi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.
“Ka 6 muaj në detyrë. Ka arrestuar me operacione false qindra e qindra të rinj, adoleshentë, asnjë trafikant, asnjë ngarkesë droge. Përkundrazi, vijnë ngarkesat me kontenjer, kalojnë në Durrës, shkojnë tek trafikantët dhe rikthehen tek policët e Ballës për t’u pirë lëngun.”
Akuzave nuk i shpëtoi as Blendi Gonxhe, emërimin e të cilit e cilësoi si “kulmi i zi aleancës së pushtetit me krimin”.
“Pas Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ai është hajduti i tretë më i madh i kombit shqiptar dhe tani, ekonomia, kultura, inovacioni i dorëzohen me duar një personi që di para së gjithash dhe mbi të gjitha të vjedhë.”
Zgjidhja e vetme përballë instalimit të dikaturës dhe krimit të veshur me pushtet nga Edi Rama, për Sali Berishën është përballja, ndaj sërish thirrjen e adresoi jo vetëm ndaj demokratëve.
“U bëj thirrje biznesmenëve: Angazhohuni në këtë betejë pa kthim. Përdorni qepenat tuaj.”
Kjo është dita e tetë e protestës që ish-Kryeminstri Berisha zhvillon nën masën e arrestit në shtëpi.
Tv Klan