Berisha: Primaret, pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor të PD

Partia Demokratike mblodhi këtë të mërkurë Kryesinë. Kreu i saj, Sali Berisha, u shpreh se tashmë primaret janë pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor të PD. Së bashku me çështjen e primareve, Berisha tha se sot në mbledhje do të diskutohet edhe rreth aksionit opozitar në tërësi.

“Primaret janë bërë tashmë pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor, palcor të PD-së. Ato kanë krijuar një impakt shumë pozitiv tek anëtarët dhe simpatizantët tanë, por në përgjithësi tek të gjithë shqiptarët që besojnë tek vota e lirë, dhe respekti tek individi. Shqiptarët kanë nevojë jetike për ndryshimin e PD-së, si parti e shpresës, besimit dhe të ardhmes. Ndryshimi natyrisht realizohet vetëm me vepra, me hapa konkretë. Në këtë kontekst ne pas ndryshimeve të thella dhe një cikli të paprecedentë votash brenda në parti, pas miratimit të rregullave, kushtetutës tonë partiake, zgjedhjeve me primare të kryetarëve të degëve, ne tashmë kalojmë në zgjedhjen nga anëtarët dhe simpatizantët tanë të qeveritarëve vendorë. Kjo përbën padiskutim ndryshimin më të madh të kësaj force politike në këto 30 vite. Por kjo përbën njëkohësisht edhe hapjen e saj institucionale me të madhe në tërë ekzistencën e saj. Hapja është shumëformëshe, por primaret janë forma më institucionale, më e rëndësishme e kësaj hapje. Sot ne kemi mbi 200 e ca kandidatura të cilat vijnë nga PD, shoqëria civile, bota akademike, por edhe nga diaspora dhe emigracioni”, u shpreh Berisha.

Sipas tij procesi i primareve ka tronditur Ramën.

“Me të vërtetë kanë arritur ta bëjnë këtë proces, një proces që ka ngjallur interes të veçantë te publiku. Një proces që po vlerësohet në të gjithë spektrin politik dhe një proces që në fakt ka tronditur thellë Edi Ramën dhe grupin e tij mafioz, që në vend të rregullave të demokracisë ka përcaktuar në partinë e tij rregullat e bosit të mafias, ku vendos vetë gjithçka, ku nuk ekzistojnë as forume dhe as vota e lirë”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera ai u shpreh se PD do të mbajë qëndrime të prera ndaj Ballkanit të Hapur dhe se selia blu e sheh këtë si “aleancë përçarëse në rajon dhe kërcënon interesin kombëtar të shqiptarëve me izolimin që përpiqet ti bëjë Kosovës, apo me imponimet që përpiqen ti bëjnë Kosovës”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share