Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka realizuar një takim me banorët e Mallakastrës, ku edhe ka prezantuar kandidiatin për kryetar bashkie për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Resmi Shanon.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se demokratët e kanë shpëtuar PD-në teksa ka shtuar se kjo forcë politike do të përfundonte si pseudo-opozitë e Ramës nëse nuk do të ishte për demokratët.
Sali Berisha: Partia Demokratike ka bërë gabime, dhe gabime serioze, por ka qenë në meritën e saj që nuk i ka injoruar gabimet, i ka njohur ato, i ka shpallur publikisht dhe i ka korrigjuar me guxim të madh. Nuk ka diskutim se skemat piramidale ishin një gabim historik i PD-së, por PD mbajti atë qëndrim që kërkonte morali i çdo shqiptari. Ne deklaruam një borxh që nuk është marrë, nuk njihet kurrë. Tjetri deklaroi se do të ju kthej çdo qindarkë, shqiptarët e panë që ai mashtroi çdo qindarkë. E panë të vërtetën dhe na e kthyen besimin. PD në opozitë këto vite po ecte si njeriu i përgjumur, somnambul. Defakto në mënyrë të paimagjinueshme po përfundonte si pseudo opozitë? E kujt, e regjimit më të korruptuar, më antishqiptar, e regjimit të drogës, krimit dhe kjo do të ishte një katastrofë kombëtare. Një vit e gjysëm më parë, planet për shndërrimin e opozitës, së PD-së në një fasadë të Edi Ramës, u shpalosën me të gjithë shëmtinë e tyre. A shumë që thonë se Sali Berisha na shpëtoi, jo. PD-në e shpëtuat ju, burrat dhe gratë e Mallakastrës, dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët nuk pajtoheshin kurrë, të bashkonit moralin tuaj me amoralët, me kriminelët, me hajdutët, me drogmenët.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama dhe Lulzim Bashën, për të cilët ka thënë se u përpoqën që t’i tradhtojnë qytetarët.
Sali Berisha: Ata që u përpoqën të ju tradhtojnë ju, të ju futin thikën ju, ata kanë përfunduar dhe do të përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë. Ja ku është McGonigal, një tradhtar i vendit të tij që punoi të shkatërronte opozitën, i paguar nga Edi Rama. Ja ku është Lulzim Brava, i cili u mor peng nga Edi Rama me proces gjyqësor dhe pastaj thoshte se po më urdhëron në mënyrë të tmerrshme ambasadorja Amerikane. Tani i them, zonjë ja ku e ke, një kalbësirë politike, merre./tvklan.al