Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për shtyp nga selia blu pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ktheu për rigjykim çështjen për vulën dhe logon e PD.
Ai u shpreh se vendimi ishte i paralajmëruar dhe i përgatitur kohë më parë në zyrën e Kryeministrit Edi Rama. Kryedemokrati theksoi se ky vendim ka për synim të likujdimin e opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
“Mirëmbrëma! Të dashur demokrate dhe demokratë, mbështetës të PD-së, qytetarë shqiptarë. Sot, në darkë Edi Rama komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri, sot tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Ramës, të paralajmëruar kohë më parë trupit diplomatik ose ambasadorëve të caktuar, të akredituar në Tiranë.
Të paralajmëruar në Parlament. Por, sot gjithashtu jemi në një orë, në një kohë prove të vërtetë. Dhe unë kam besimin më të madh se demokratët shqiptarë janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht pluralizmin dhe partinë. Vazhdimi i skenarit të filluar me tradhtarin e kombit amerikan, të kaluar në një seri etapash, sot konkludoi me një vendim të pashembullt në historinë e Europës dhe të botës. Në procesin e sotëm gjyqësor dua të informoj shqiptarët se ata të cilët kishin kërkuar zyrtarisht të shpalleshin palë i thanë gjykatës se nuk kemi qenë palë në proces, por gjykatësit lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës dhe anuluan 3 ditë pasi e mbajtën 9 muaj, anuluan 3 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit në zgjedhje vetëm e vetëm se ishte urdhëruar nga Rama“, deklaroi Berisha.
Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi këtë të Premte që të rikthejë në Shkallën e Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Agron Zhukri dhe për të pranuar palën e Alibeajt, si palë në gjykim për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Vula dhe logoja do të vazhdojnë t’i mbeten grupit të Enkelejd Alibeajt, deri në një moment të dytë, ku gjykata do të duhet të mblidhet edhe njëherë në Shkallë të Parë për ta gjykuar këtë çështje nga fillimi.
Palët tashmë do të duhet të nisin një betejë sërish nga e para, në Gjykatën e Shkallës së Parë./tvklan.al