Berisha nga Durrësi: Më 14 Maj, ju me Igli Carën do rivendosni pluralizmin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Durrës, Igli Carën.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se më 14 Maj, qytetarët e Durrësit së bashku me Igli Carën do të rivendosin në këtë bashki, atë që ai thotë se mungon në vend “pluralizmin”.

Sali Berisha: Mesazhi juaj në këtë ditë të shenjtë dy herë, ditë Ramazani, por edhe prag i Pashkëve, është një mesazh që tejkalon Durrësin dhe pushton mbarë Shqipërinë, është një mesazh fantastik, është një mesazh historik. Mesazhi juaj është mesazhi i ndryshimit të Durrësit; mesazhi juaj është për mbarë shqiptarët, ndryshimi i Shqipërisë; mesazhi juaj është mesazhi i shpresës së pashuar te shqiptarët. Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria! Ne sot jemi këtu për idealet tona të lirisë, ne jemi sot këtu për idealet më fisnike të njeriut, për të mbështetur së bashku Igli Carën, kandidatin e lirisë, kandidatin e vullnetit tuaj, qytetarin shembullor, intelektualin e shkëlqyer, politikanin e urtë, të vendosur. Është nder i madh për mua të paraqes këtu para jush Igli Carën, me bindjen më të thellë se Igli Cara me besimin tuaj, me votën tuaj, me mbështetjen tuaj do të dëshmohet një shërbëtor i përkulur përpara jush, një drejtues i përkushtuar përpara qytetarëve të Durrësit. Igli Cara me mbështetjen tuaj do ndryshojë Durrësin dhe do ndikojë në ndryshimin e mbarë Shqipërisë. Igli Cara, të gjitha potencialet e këtij rrethi të bekuar do i shndërrojë në shërbime dhe mirësi. Më 14 maj, ju me Igli Carën, me një mision historik, do rivendosni në Durrës pluralizmin. Më 14 maj, ju me Igli Carën, do i thoni ndal të keqes. Mençuria e durrsakëve fton çdo qytetar të këtij rrethi të votojë më 14 maj ndryshimin. Një fjalë e urtë popullore thotë: e keqja nuk ka fund. Nuk ka të vërtetë më të hidhur se kjo. Por e keqja nuk ka fund kur burrat dhe gratë e virtytshëm qëndrojnë indiferentë ndaj saj. Unë kam bindjen se me 14 maj ju do votoni për ndryshimin e Durrësit, ndryshimin e Shqipërisë.

Nga Durrësi, kryedemokrati Berisha shprehet se kryeministri Rama po bën gjithçka që të largojë durrsakët e të largojë shqiptarët ndaj dhe bën thirrje që të votohet Igli Cara pasi sipas tij, ai është ndryshimi që iu duhet kësaj bashkie.

Sali Berisha:E keqja nuk ka fund. Ndaj dhe me 14 maj, të votojmë Igli Carën. Durrësi është një kompleks natyror që mund të vendosej në çdo parajsë tokësore dhe mbitokësore. Me brigjet, me tokat, me kodrinat, nuk ka bukuri më përrallore se Durrësi, nuk ka një vend me potenciale të tilla. Përsëri të rinjtë e Durrësit marrin rrugët e botës. Në vend që të punojnë në industrinë e tyre turistike, shkojnë dhe shërbejnë në turizmin e vendeve të tjera. Në vend që të punojnë në femrat e tyre, shkojnë dhe punojnë në fermat e të tjerëve. Përse po largohen shqiptarët? Po largohen sepse ka një politikë genocidale. Edi Rama po bën gjithçka që të largojë durrsakët nga Durrsi, t’i largojë shqiptarët nga Shqipëria. Nëse ti krijon kushte të kalkulueshme që ua bën jetën të pajetueshme në vend, kjo quhet gjenocid dhe ky largim është krim kundër njerëzimit. Le t’u referohemi fakteve. Me aktin e parë, dyfishoi taksat, përgjysmoi bizneset. Së dyti, ndërmori fushatën unike në botë. Askund në botë nuk arreston kush për çështje civile. Që kur janë themeluar kodet, çështjet civile janë civile dhe ato penale janë penale.Në një proces me një trashëgimi arkaike, të tmerrshme, arrestoi për fatura, 38 mijë qytetarë në vitin 2015. Ndërkohë kur çdo shtet në botë u paguan faturat atyre që nuk paguajnë vetë. Kurse ky u tregon derën e burgut. Natyrisht kjo ishte përzënie. Çfarë mund të bëjnë fermerët në Durrës e Shqipëri kur ky sjell vërshimin e qumështit pluhur nga Shemavija. Si mund të maten fermerët e Durrësit me prodhuesit përreth, kur vetëm Kosova subvencionon çdo hektar grurë me 400 euro, subvencionon çdo lopë me 90 euro? Si mund të konkurrojnë fermerët tanë? Pra, çfarë ndodh? Krijohen kushte për largimin e tyre. Nga Shkodra shkojnë dhe punojnë në Mal të Zi. Në vitin 2013, rrogat në Shqipëri ishin më të lartat në Ballkan. Nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve rritej në Durrës dhe mbarë Shqipërinë. Kurse sot, një e treta e popullsisë në 8 vite ka braktisur këtë vend të bekuar. A nuk është kjo një thirrje zemër, një apel nga thellësitë e shpirtit të çdo shqiptari kudo që ndodhet. Më 14 maj të ndalim të keqen, të votojmë ndryshimin, të votojmë Igli Carën./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share