Berisha në Kuvendin e FRPD: Shqipëria shpëtohet me revolucion, jo me lutje dhe deklarata

Dita e sotme shënon 32 vjet nga krijimi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 që përmbysi komunizmin. Në përkujtim të kësaj dite, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka organizuar Kuvendin e FRPD-së.

I pranishëm në këtë Kuvend është edhe kryetari i PD-së, Berisha i cili është shprehur se Shqipëria shpëtohet vetëm me revolucion dhe jo me lutje apo me deklarata.

Sali Berisha: Mos harroni se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim epik, me një guxim në kufijtë e legjendës, u përball në vitet ’90 me diktaturën më të egër staliniste, më çnjerëzore, më barbare, me diktaturën komuniste, e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën sheshin, diktatura vriste ata që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes.
Megjithatë ata të rinj, të udhëhequr nga bashkëmoshatari juaj Azem Hajdari, i shndërruar në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin. I imponuan atij, vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Në një betejë të pashembullt në katër anët e vendit, përmbysën me votë diktaturën komuniste në Shqipëri.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Kjo është trashëgimia, që do ju frymëzojë ju dhe gjithë shqiptarët në betejën për liri dhe dinjitet.
Është kjo trashëgimi që të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Kështu që sot, fjala dhe kryefjala e ditës është revolucion dhe vetëm revolucion. Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve Berisha u është drejtuar të rinjve duke ju thënë se “kanë të gjithë potencialin, të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend”.

Sali Berisha: Sot ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju, drejtuesit tuaj, anëtarët, anëtarët e PD-së, u shndërruat në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD-së, të rivitalizimit të saj, u shndërruat në vis vitalis të atij revolucioni, që kishte dy qëllime madhore: shpëtimin e PD-së dhe shpëtimin e Shqipërisë.

Ju vini krenarë, pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. Ju vini krenarë dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të motivuar në misionin e dytë, i cili është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë.

A do mundeni ju, me energjinë, me guximin, me përkushtimin tuaj, të shpëtoni Shqipërinë, e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe, e cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit në historinë e ekzistencës tonë kombëtare? A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore?

Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share