Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të premte se protesta e radhës do të mbahet më 6 Dhjetor. Sipas Berishës ky është një rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin para përfaqësuesve më të lartë të demokracive europiane. Deklaratën, kryedemokrati e bëri gjatë mbledhjes së Kryesisë.
“Protesta e 12 Nëntorit domosdoshmërisht duhet të vazhdohet me protesta të tjera dhe data 6 Dhjetor, mendoj unë, është rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin e tij para përfaqësuesve më të lartë të demokracive europiane, para të gjithë botës, pikërisht me këtë axhendë: Betejë për kundër monizmit dhe ekzistencën e pluralizmit. Mbrojtjen e pasurisë më të madhe publike që kanë shqiptarët sot portin e Durrësit që po u plaçkitet në mënyrë më të paimagjinueshme”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se protesta do të jetë një akt mikpritje ndaj liderëve të BE.
“Ne mirëpresim dhe u urojmë mirëseardhjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Protesta jonë synon të dëshmojë se në këtë vend i cili po varfërohet, po vidhet, po shkretohet çdo muaj e më shumë, aspirata demokratike janë të pavdekshme, të forta e të qëndrueshme. Në këtë kontekst ftoj që ta marrin këtë protestë tone, si një akt mikpritje ndaj tyre dhe padiskutim armiqësor, flagrant, të hapur, ndaj Edi Ramës, i cili me aferat e tij turpëron çdo komb…”
“Kam bindjen se populli opozitar për këtë thirrje me përgjegjësinë më të madhe, me dëshirën dhe vullnetin më të mirë për të paraqitur në arenën para lidershipit të nderuar të BE, me vërtetësi dhe realitet problematikat e tmerrshme të cilat përballet ai sot. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për një realizim të përsosur të protestës më të madhe që kanë parë shqiptarët ndonjëherë”, u shpreh Berisha.