Për Sali Berishën fryma e shpresës tek shqiptarët është sot njësoj si në vitin 1992. Në fjalën që mbajti para demokratëve, në çeljen e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Berisha tha se qëllimi madhor i forcës që ai drejton do jetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
“Arritjet e mëdha arrihen vetëm nga fryma. Ne do arrijmë gjëra të mëdha pasi fryma që ndjej është fryma e shpresës, fryma e fitores si në vitin 1992 që solli ndryshimet epokale. Kjo frymë tregon se shqiptarët po ringrihen, se kanë ëndrra dhe do i realizojnë ato. Çdo shqiptar që ndjehet sot i dëshpëruar, e ftoj të bashkohet me ne, t’i bashkohet kësaj fryme që ekranet nuk e përcjellin, por e përcjellin qytetarët. Le të vijnë me ne, të ndjejnë ndryshimin që ka ardhur! Për të gjithë ju që më njihni, e dini se Sali Berisha kur vihet në shërbim të qytetarëve, lë pas arritje të mëdha. Sepse ai beson se pika e ujit e çmon gurin. Le të thonë se çfarë të duan sot. Fitoret e mëdha të demokracisë moderne, i ka sjellë aleanca e Sali Berishës me qytetarët shqiptarë”.
Në fund të fjalën së tij, apeli i Berishës për shqiptarët ishte “votoni ndryshimin!”.
“Unë besoj se Shqipërinë e shpëtojmë duke dhënë secili nga pak dashuri. Një vend që 10 vite që keqtrajtohet, shërohet vetëm me dashuri. Nuk mund të presim më nga ndërkombëtarët, nuk duhet të presim nga një lider apo një parti politike. Dashurinë më të sinqertë nënës mund t’ia japin vetëm bijtë e saj. Unë besoj në një Shqipëri që drejtohet nga njerëz të ndershëm, të rinj, model, me qytetarë të barabartë përpara ligjit, që krijon kushtet për t’i rikthyer qytetarët në atdheun e tyre. Unë besoj në një Shqipëri që shtohet në popullsi, me familje të gëzuara, me një qeveri të vogël dhe të përulur përpara qytetarëve“.
“Unë besoj se ka ardhur koha për këtë Shqipëri. Të lëmë mbrapa Shqipërinë e krimit, drogës dhe vjedhjes. Kjo është një aspiratë që e shoh në zemrat e secilit prej jush. Të sigurt të jeni ju se po realizuam këto, Europa do na hapë dyert njësoj siç bëri NATO. Europa nuk do propagandë, ajo do vepra. Ne demokratët e kemi provuar se kemi vepra dhe dimë të flasim me vepra. Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë! Thirrje për 83 përqind e shqiptarëve që duan të largohen nga Shqipëria është: jepini një shans Shqipërisë, jepini një shans! Votoni më 14 maj, votoni ndryshimin”./tvklan.al