Televizioni shtetëror rus RT ka pezulluar dhe dënuar një nga prezantuesit kryesorë të tij, Anton Krasovsky pasi ky i fundit bëri thirrje për djegien dhe mbytjen e fëmijëve ukrainas. Deklaratat e tij në televizion shkaktuan bujë të madhe.
Krasovsky po i përgjigjej shkrimtarit Sergei Lukyanenko, i cili tha se në Ukrainën perëndimore në vitin 1980 kishte dëgjuar fëmijë duke thënë “Ukraina është e pushtuar nga moskovitët”. Në intervistë Krasovsky buzëqeshi duke thënë: “Vetëm mbytini ata fëmijë, mbytini”. Ose tha ai “ato mund të futen në kasolle dhe të digjen”. Ai gjithashtu bëri shaka për ushtarët rusë që përdhunonin gjyshet ukrainase.
Kryeredaktori i televizionit shtetëror rus RT, Margarita Simonyan, dënoi komentet e Krasovsky si “të egra dhe të neveritshme”.
Ukraina e ka akuzuar kanalin për nxitje të gjenocidit. Televizioni shtetëror rus u ka dhënë shumë kohë për transmetim ekspertëve dhe prezantuesve që mbështesin fuqishëm luftën kundër Ukrainës dhe bëjnë thirrje për më shumë agresion ushtarak. Ata hedhin poshtë në mënyrë rutinore provat e mizorive ruse, duke pretenduar se ato janë “fabrikime” ukrainase duke i bërë jehonë pozicionit të Kremlinit.
Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili merret me krime të rënda, po heton tani komentet e Krasovsky, megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë ligji rus, nëse ka, mund të ketë shkelur.
Ditën e djeshme Krasovsky kërkoi falje, duke thënë “epo, kjo ndodh kur je në transmetim “. Ai tha se ishte “me të vërtetë i turpëruar”.
Për dy vitet e fundit Krasovsky ka qenë drejtor i transmetimeve në televizionin rus RT. Ai është nën sanksionet e BE-së për shkak të mbështetjes së tij të fortë për pushtimin e Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin./tvklan.al