Bëri famë në Tiktok, Janice humb betejën me kancer

Këngëtarja amerikane Cat Janice, e cila u bë e famshme nga TikToku, ka vdekur në moshën 31-vjeçare, pasi ka humbur betejën me kancerin, ka raportuar BBC News.

Janice, e cila publikoi këngën “Dance You Outta My Head” nga kujdesi intensiv, ishte diagnostikuar me kancer të rrallë të eshtrave dhe indeve të buta, në mars të vitit 2022.

Ajo ka treguar gjatë trajtimit se i kishte bartur të drejtat e muzikës së saj tek i biri 7-vjeçar, Loren.

Familja e saj ka thënë se do të jenë “përgjithmonë mirënjohës për dashurinë e madhe” që kanë marrë.

“Cat ka përjetuar se si muzika e saj arrinte vende që nuk kishte pritur kurrë dhe pushon e qetë duke ditur se do të vazhdojë të sigurojë mjete për djalin e saj përmes muzikës”, kanë thënë familjarët. “Kjo nuk do ishte e mundur pa juve”.

Që kur publikoi këngën “Dance You Outta My Head”, në javën e parë të këtij viti, ajo ka kryesuar në Billboardin Top 50 të TikTokut dhe ka arritur në top 10 e Billboardit për muzikën dance/elektronike.

Janice, emri i vërtetë i së cilës ishte Catherine Ipsan, nisi karrierën si tekstshkruese dhe producentë në të 20-at.

Burri i saj, Kyle Higginbotham, ka thënë që shpreson se karriera e saj muzikore do të mbahet mend për më shumë, sesa vetëm për “histori të trishtuar”.

“Cat nuk është vetëm një vajzë e cila ka bërë muzikë, sepse po vdiste nga kanceri”, ka thënë ai. “Ajo është artiste e vërtetë dhe ka shpenzuar çdo minutë të jetës së saj në të, deri në fund”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share