“Beleri”, Mitsotakis: Shkelje e shtetit të së drejtës

“Do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe”

Athina zyrtare vijon të jetë e bindur se çështja “Beleri” do të ndikojë në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deklaratat e bëra më herët nga ministria e Jashtme greke u përforcuan këtë të Dielë nga kryeministri Qiriakos Mitsotaqis, i cili gjatë një interviste për gazetarët në kuadër të Ekspozitës së 87-të Ndërkombëtare të Selanikut, theksoi se moslejimi i Fredi Belerit për tu betuar si kryetar bashkie i Himarës do të ndikojë jo vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe procesin integrues të Shqipërisë në Union.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Më shqetëson fakti jo vetëm i burgut, por që edhe sot Shqipëria i mohon të drejtën për të betuar një kryetari bashkie. Këtë ia kam raportuar udhëheqjes së Shqipërisë. Unë nuk ndërhyj në drejtësinë shqiptare, por kjo është shkelje e shtetit të së drejtës dhe krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe dhe do të kenë implikime më të gjera në përpjekjen e Shqipërisë për t’iu afruar BE-së”

Ndaj ai theksoi se do të vazhdojë të ushtrojë presion për aq kohë sa të jetë e nevojshme për lirimin nga burgjet shqiptare të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

“Nuk do të ndalem së ngrituri këtë çështje në nivel europian dhe vetë Ramës. Çështja i lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur”.

Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri u arrestua me urdhër të SPAK pak ditë para zgjedhjeve vendore, pasi nga përgjimet telefonike dhe ambientale rezultoi se ai ofronte para për të blerë vota.

Të gjitha shkallët e gjyqësorit në vendin tonë kanë refuzuar kërkesat e tij për lirim, ndërsa së fundi ai u morr zyrtarisht i pandehur për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.

Tv Klan

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share