ME DO TË PROPOZOJË HEQJEN E MASËS PËR SUBVENCIONIMIN E ENERGJISË ELEKTRIKE PËR KOMPANITË
Ministria e Ekonomisë do të propozojë heqjen e masës për subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë. Sipas të dhënave fillestare të institucioneve, 60 deri në 70 për qind e kompanive të sektorit ushqimor që përdorin këtë masë nuk i kanë ulur çmimet dhe nuk kanë respektuar marrëveshjen. Masa e subvencionuar e energjisë elektrike do të mbetet në fuqi për shkollat dhe ndërmarrjet publike komunale.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se po punohet për hartimin e masave të reja që synojnë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Masa për kufizimin e marzheve të produkteve bazë ushqimore respektohet plotësisht nga tregtarët, por një numër i madh i kompanive ushqimore që përdorin energji elektrike të subvencionuar nga shteti nuk i kanë ulur çmimet, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në një intervistë për televizionin Alsat. Ai kujtoi se Ministria e Ekonomisë ka pasur disa takime me odat e ekonomisë, veçanërisht me kompanitë që janë prodhuesit më të mëdhenj të produkteve ushqimore bazë.
“Një pjesë e konsiderueshme e kompanive vendore me të cilat kemi pasur marrëveshje, fatkeqësisht nuk e kanë respektuar marrëveshjen që kemi pasur mes Qeverisë dhe Odave Ekonomike dhe nuk kanë ulur çmimet e produkteve bazë ushqimore. Ne si Ministri e Ekonomisë kemi marrë një raport nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, presim një raport përfundimtar deri në fund të këtij muaji. Sipas të dhënave paraprake, një pjesë e konsiderueshme e kompanive që janë mbi 250 dhe që përdorin masën e subvencionimit të energjisë elektrike, mbi 60-70% e tyre nuk kanë respektuar të njëjtin vendim dhe kanë të njëjtat çmime të produkteve që kishin në nëntor, para se të hynte në fuqi vendimi për subvencionimin e energjisë elektrike”, tha ministri Bekteshi.
Sipas Bekteshit, sa i përket masës për kufizimin e marzhit të fitimit, e cila është miratuar edhe për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, sipas të dhënave të ISHT-së, ajo respektohet nga të gjithë tregtarët. Ndërkaq, për subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë e sektorit ushqimor janë ndarë rreth 1.2 deri në 1.3 milionë euro, mjete që mund të përdoren për masa të tjera, veçanërisht për qytetarët që kanë nevojë më të madhe. Ministri theksoi se masa për subvencionimin e energjisë elektrike për shkollat fillore dhe të mesme dhe për ndërmarrjet publike do të mbetet, ndërsa për kompanitë propozimi i Ministrisë së Ekonomisë është që të shfuqizohet. Sa i përket çmimit të energjisë elektrike, ministri Bekteshi tha se është duke u analizuar mundësia e kthimit të tarifës së lirë të energjisë elektrike për dy orë gjatë ditës. Kthimi i tarifës së lirë të energjisë elektrike gjatë ditës i kushton shtetit rreth 15-16 milionë euro në vit, fonde që tani ripërdoren për masa të tjera në mbështetje të qytetarëve. /KlanMacedonia/