Bekim Sali: Amnistohen fajtorët për zjarrin në spitalin modular!

NESËR NË TETOVË PROTESTË PARA GJYKATËS THEMELORE

Ish ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali deklaroi sot se, njëri ndër fajtorët për zjarrin në spitalin modular është shpërblyer, njofton KlanM.

Ai tha se, gjatë kohës kur ka qenë ministër, pas dyshimeve se, zjarri është shkaktuar për shkak të abuzimit më procedurën ndërtimore dhe procedurën e furnizimit publik, ka kërkuar të bëhet revizion i brendshëm nga Sektori i Revizionit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas përgatitjes së raportit, sipas tij, u dha rekomandimi që Ministria e Shëndetësisë duhet ta ndërpresë kontratën për realizimin e punimeve dhe të mos i paguajë asgjë më realizuesit deri në përfundim të procesit gjyqësor. Por, edhe përkundër kësaj, siç shtoi Sali, Ministria e Shëndetësisë, ka iniciuar pagesën e borxhit ndaj kompanisë BRAKO, kjo edhe përkundër rekomandimeve të revizionit të brendshëm.

“Pas kësaj, nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen se e kujt ka qenë iniciativa reale e amnistisë së BRAKO-s dhe vazhdimin e pagesës, duke mos e respektuar rekomandimin e revizionit?! A është kjo kërkesë e Kovaçevskit, mashtrim a joshje e Fatmir Mexhitit apo porosi e Artan Grubit?!  Fatmir, mos edhe për këtë dështim fajin ta ka udhëheqësia e kaluar e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ish ministri? Cili është detyrimi që ka kjo qeveri ndaj Koço Angjushevit dhe pse qeveria është në gjendje të bëjë edhe shkelje mbi kufomat e 8 shtatorit 2021 vetëm për të përfituar disa miliona euro më shumë?!” – tha Bekim Sali, Alternativa.

Megjithatë, sic njofton KlanM, ministri aktual i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, përmes një komunikate për media të lëshuar të hënën, ka përgënjeshtruar pretendimet se, ka paguar para për objektet modulare të Shsh Shkup.

Në lidhje me këtë hulumtim kanë reaguar edhe nga VMRO – DPMNE, prej ku kanë thënë se, është e çuditshme heshtja e prokurorisë për lëshimet në rastin e spitalit modular në Tetovë.

“Prokuroria Publike si për këtë rast, ashtu edhe për raste të tjera, amniston nga përgjegjësia njerëz për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë bërë lëshime në punë dhe punojnë në mënyrë kriminele. Deri kur Prokuroria Publike do të dridhet para oligarkisë dhe njerëzve të pushtetit” – thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sic njofton KlanM, ka shkruar sot në Facebook se do të ketë përgjegjësi për këtë tragjedi.

Hulumtimi i redaksisë IRL përmban informacione për tenderë të dyshimtë, lëshime gjatë standardeve të sigurisë dhe specifikacionet e tenderimit për ndërtimin e spitalit modular në Tetovë, ku para dy viteve humbën jetën 14 pacientë. Hulumtimi i IRL-së, zbulon edhe lëshime gjatë specifikacionit të tënderit të Ministrisë së Shëndetësisë ku nuk ishin marrë parasysh aspektet e sigurisë, janë zbuluar detaje për mostransparencë në procedurën e tenderimit, pasi paraprakisht Ministria për Vetëqeverisje Lokale kishte refuzuar ta zbatojë tenderin për shkak të dyshimeve për favorizimin e firmave. Në mënyrë plotësuese, pas zjarrit, Ministria e Shëndetësisë lidh marrëveshje me firmën “Brako” për të përmirësuar aspektet e sigurisë gjatë ndërtimit, e cila asnjëherë nuk ishte publikuar.

Përkrah reagimeve të shumta në opinion që kanë shpërthyer pas publikimit të hulumtimit, sic njofton KlanM, është paralajmëruar edhe një protestë për të mërkurën në mesditë, para gjykatës në Tetovë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share