Begaj mirëpret Pendarovskin në Pustec: Sfidat janë të mëdha, duhet t’i përballojmë së bashku

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka mirëpritur homologun e tij të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në Bashkinë e Pustecit.

Gjatë fjalës së tij, Begaj është shprehur se sfidat mes 2 vendeve janë të mëdha, teksa ka shtuar se duhen përballuar së bashku.

Presidenti Begaj: Është kënaqësi për mua që të mirëpres Presidentin e Maqedonisë së Veriut, mikun tim, Pendarovski bashkë me Zonjën e Parë në Bashkinë e Pustecit. Zgjodhëm Bashkinë e Pustecit, për të treguar se marrëdhëniet mes 2 vendeve tona janë marrëdhënie të 2 vendeve mike, vendeve anëtare të NATO-s, që kanë një rrugëtim të përbashkët për anëtarësimin në BE. Sfidat mes 2 vendeve janë të mëdha, duhet t’i përballojmë së bashku. Një nga këto sfida është që të kemi mirëqenie mes vendeve tona dhe besoj se kjo vizitë do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Pendarovski është pyetur dhe në lidhje me Ballkanin e Hapur, për të cilin ka thënë se është mangësi e madhe që vetëm pak shtete të rajonit të jenë pjesë e tij.

Presidenti Pendarovski: Ballkani i Hapur që nga fillimi i tij është që të jetë një bashkëpunim rajonal mes vendeve të Ballkanit. Ekzistojnë mbi 50 iniciativa që krijojnë kushte të përshtatshme për bashkëpunim mes vendeve. Ballkani i Hapur ka qenë një prej tyre dhe shpresoj që në një format të tillë të vazhdojë dhe më tej. Është e pakontestueshme se vendet që marrin pjesë në Ballkanin e Hapur e kanë të qartë se “çadër” për të gjitha iniciativat është procesi i Berlinit i cili ka marrëdhënie strukturore më të sakta se Ballkani i Hapur. 6 shtete marrin pjesë në procesin e Berlinit, ndërsa vetëm 3 në Ballkanin e Hapur dhe kjo është një mangësi e madhe për Ballkanin e Hapur./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share