Ditën e nesërme më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
Përmes një deklarate zyrtare nga BE, bëhet e ditur se të dy liderët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, i cili do të fillojë në orën 10:00.
Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime me secilin nga liderët, duke filluar nga ora 10:30.
Më pas, do të ketë një takim trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin për zbatimin e aneksit të planit evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.