Mossuksesi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës do të ketë pasoja negative, kurse BE-ja është e gatshme të zbatojë masa – thuhet në komunikatën e vendeve anëtare të BE-së, njofton KlanM.
BE-ja, në komunikatën që në Tuitter e publikoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dërgoi mesazhe konkrete për autoritetet e Kosovës dhe serbëve të veriut të Kosovës.
“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë që nuk do të çojë në eskalimin e situatës dhe menjëherë të ndërpresë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës” – thuhet në komunikatë.
Kryetarët e rinj të zgjedhur, siç thuhet në komunikatë, detyrat e tyre përkohësisht t`i kryejnë në hapësira tjera.
Shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme lokale në katër komunat, gjithashtu, siç përcjell KlanM, është një nga kërkesat që përmendet në komunikatën e BE-së, ku Brukseli pret që në këto zgjedhje të marrin pjesë edhe serbët lokal, që janë shumicë në këto komuna.
BE-ja ka shfaqur shqetësime lidhur me statusin e gatishmërisë së lartë ushtarake të forcave të armatosura serbe.
“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë, menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa për deeskalim të situatës, të ndalojnë përdorimin e retorikës së ndarjes dhe të përmbahen nga veprime të mëtejshme të pakoordinuara. Urgjentisht të kthehet paqja” – thuhet në komunikatën e BE-së.
Serbia dhe Kosova, siç përcjell KlanM komunikatën e BE-së, janë ftuar që sa më shpejt të kyçen në dialogun që udhëhiqet nga BE-ja, që sipas komunikatës, nënkupton nisjen e punës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “pa anulime dhe parakushte të mëtutjeshme”./KlanMacedonia/