BE-ja i dhuron Serbisë 165 milionë euro

Beogradi merr urime nga Moska dhe Pekini

Në ditën e shtetësisë së saj Serbia ka marrë mesazhe urimi nga Moska dhe Pekini ndërsa BE-ja i dhuroi 165 milionë euro per industrinë energjetike dhe familjet.

Vladimir Putin i shkruajti Vuçiçit për forcimin e partneritetit strategjik ruso-serb ndërsa sipas tij dy kombet janë vëllezër. Shefi i Kremlinit shkruan se Moska mbështet përpjekjet e Vuçiç që synojnë mbrojtjen e integritetit territorial të vendit dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ndërkaq në ceremoninë e marrjes së 165 milionë eurove nga Brukseli, Vuçiç deklaroi se Serbia vështirë se mund të ecë përpara pa BE-në.

“Thjesht dua që njerëzit të dinë se Serbia varet shumë nga BE-ja, se pa të është e vështirë ose e pamundur të ecim përpara. Ne shpesh e nënvlerësojmë atë që BE-ja bën për Serbinë. Mbështetja financiare nga BE-ja do të shërbejë për subvencionin e faturave të energjisë për familjet e varfra si dhe mbrojtjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.“

Pritet që numri i familjeve që do të marrin mbështetje financiare këtë vit të rritet nga 68 mijë në 191 mijë, ndërsa ndihmë do të marrin rreth 70 mijë biznese të vogla.

Ambasadori i BE-së në Serbi Emanuel Giofre theksoi se ka një angazhim të plotë dhe të qartë të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë.

“Përkushtimi i BE-së për Ballkanin Perëndimor është i qartë. Kjo u konfirmua unanimisht në Tiranë. Këto nuk janë fjalë, por veprime konkrete. Paketa mbeshtese financiare prej një miliard eurosh e destinuar për Ballkanin Perëndimor është shembull konkret i solidaritetit të BE-së ne ndihmë te familjeve dhe sipërmarrësve në nevojë që përballen me krizën energjetike.”

BE ka dhënë një paketë prej një milliard eurosh në total si ndihma për sektorin energjitik në Ballkanin Perëndimor ndërsa interkonektori i gazit ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë pritet qe të përfundojë deri në fund të vitit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share