Liderët europianë vendosën këtë të enjte që BE të hapë negociatat për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë. Gjithashtu në samitin që u zhvillua në Bruksel u vendos që Gjeorgjisë t’i jepej statusi i vendit kandidat.
BBC raporton se një zëdhënës i Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel tha se vendimi ishte unanim.
“Është një sinjal i qartë i shpresës për popujt e tyre dhe për kontinentin tonë”, shkroi në rrjetin social “X”, Michel.
Po ashtu, ai bëri me dije se negociatat me Bosnje-Hercegovinën do të hapen pasi të jetë plotësuar shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Për këtë arsye është përcaktuar që Komisioni Europian të raportojë në Mars të vitit të ardhshëm.
I pari që reagoi mbi këtë lajm ishte Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili e ka cilësuar këtë vendim si “triumf”.
“Është një fitore për Ukrainën, një fitore për të gjithë Europën. Është një fitore që motivon, inspiron dhe forcon”, tha ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”.
I vetmi që ishte kundër këtij vendimi ishte kryeministri i Hungarisë, Victor Orban. Megjithatë, ai nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.
Në rrjetet sociale pasi u bë publike vendimi i liderëve europianë, ai tha në rrjetet sociale se “anëtarësimi i Ukrainës në BE është një vendim i keq”.
/tvklan.al