Ministrat europianë të Mbrojtjes diskutojnë planin, duhen 100 mijë predha në muaj
Të gjitha rrugët e evakuimit nga qyteti lindor Bakhmut i Ukrainës po ndeshen me bombardime të vazhdueshme.
“Ambulanca dhe automjetet e tjera kalojnë mes breshërisë së predhave. Është shumë i vështirë evakuimi. Ka humbje të mëdha dhe në veçanti mes mjekëve”, i tha agjencisë Reuters shefi i Gardës Kombëtare, Mjeku Artem.
Njësia e tij vepron në afërsi të Bakhmutit, duke u ofruar ndihmën e parë ushtarakëve të plagosur ukrainas dhe më pas i transporton ata më tej në një spital.
Komandanti i frontit lindor të Ukrainës dhe i forcave tokësore Oleksandr Syrskyi shkoi vetë në front ndërsa ushtarët që po mbrojnë Bakhmut-in.
“Të gjithë armiqtë do të shkatërrohen dhe fitorja do të arrihet. Lavdi juve dhe Bakhmutit. Sepse tani jeni në pikën më të nxehtë, nuk ka vend më të nxehtë sot… se kalaja e Bakhmutit,” u tha ai ushtarëve në videon e publikuar nga vetë ushtria.
Ndërsa mercenarët Wagner që udhëheqin përpjekjet për të kapur qytetin pretendojnë kontrollin e plotë të pjesës lindore të Bakhmut-it. Kreu i grupit mercenar Yevgeny Prigozhin gjithashtu u shfaq pranë monumentit tank. Nëse pretendimi i tij është i vërtetë, kjo do të thotë se forcat ruse tani kontrollojnë pothuajse gjysmën e qytetit.
Në një prej betejave më të përgjakshme të luftës njëvjeçare, mbrojtësit ukrainas mbetën sfidues. Javën e kaluar ata dukej se po përgatiteshin për një tërheqje taktike nga Bakhmut-i, por udhëheqësit ushtarakë dhe politikë ukrainas flasin tani për qëndrim në pozicione mbrojtëse.
Në qytetet e tjera të frontit të lindjes, vijojnë evakuimet. Këtu oficerët shihen duke evakuuar një nënë dhe dy djemtë e saj nga qyteti i vijës së parë Avdiivka. Policia e Donetskut tha se oficerët rrezikuan jetën e tyre gjatë rrugës për në Avdiivka.
Në frontin Perëndimor pro Ukrainës, ministrat e Mbrojtjes së BE-së diskutuan në Stokholm koordinimin për dërgimin e më shumë municioni në Ukrainë. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, sugjeroi që blloku të shpenzojë një miliardë Euro për blerjen e përbashkët të municioneve për Ukrainën dhe për të rimbushur rezervat e veta.
“Unë propozoj të mobilizoj një miliardë Euro të tjera. Së pari duhet të dërgohen municione nga rezervat e tanishme të vendeve anëtare Së dyti, ne mund të blemë më shumë municion. Në planin afatgjatë, por jo që nesër, Bashkimi Europian duhet të rrisë kapacitetet e industrisë së mbrojtjes.”
Borrell shtoi se ka “marrëveshje të përgjithshme” për blerjen e përbashkët të municioneve në takim, por shtoi se ka ende pyetje të pazgjidhura dhe detaje për t’u diskutuar. Ukraina, sipas ministrit të saj të Mbrojtjes, Olesky Reznikov, ka nevojë për rreth 100 mijë predha në muaj “për të frenuar rusët dhe për të qenë e përgatitur për ndërmarrjen e kundërofensivave”.
Klan News