BDI: Kërcënimet sinjal i fillimit të rrënimit të rendit demokratik në vend!

MESAZHET KËRCËNUESE NDAJ DEPUTETËVE

Faktori ndërkombëtar, mediat, shoqëria civile të jenë vigjilent ndaj këtij rasti, si sinjal i fillimit të rrënimit të rendit demokratik në vend.

Alarmi vjen nga BDI-ja pas njoftimit se deputetë të kësaj partie ishin pre e kërcënimeve serioze që kishin mbërritur në adresat zyrtare elektronike.

”Këto incidente tregojnë shkallën e lartë të intolerancës dhe urrejtjes që përhapet në të gjithë shoqërinë tonë dhe kjo duhet të dënohet nga të gjithë. VMRO-DPMNE së bashku me vazalët e tyre të tubuar në koalicionin humbës VLEN pasi e vodhën legjitimitetin e shqiptarëve, shkelën votuesin shqiptarë, siç duket nuk u mjafton vetëm ajo dhe kanë vendosur që të tentojnë të mbjellin edhe frikë tek votuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim duke sajuar tema e shpifje nga më të ndryshmet të organizuara e menduara mirë” – thonë nga BDI.

Kërcënime me vdekje, deputetëve të BDI-së u janë dërguar në adresat e tyre elektronike. Krahas kërcënimeve për jetën, në mesazhin thuhet se do të preken edhe familjet e tyre, kurse kërcënimi përfundon me fjalët “Maqedoni e pastër”.

Përmbajtjet kërcënuese, nga një dërgues I panjohur, u janë dërguar 8 deputetëve të BDI-së, Ali Ahmetit, Arbana Pasholli, Blerim Bexheti, Dijana Toska, Ilir Hasani, Ismail Jahoski, Rina Ajdari dhe Sadulla Duraku, ditën kur në Kuvend ka qenë propozimi për emërimin e Zv/Ministrave në Qeveri.

Rasti është denoncuar në polici, kurse MPB-ja ka njoftuar se Njësia për Krim Kompjuterik punon për zbardhjen e rastit. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share