Bashkimi Demokratik për Integrim, dega në Gostivar ka reaguar ndaj Komunës së Gostivarit që siç thonë ata i kanë lënë shkollat pa ngrohje.
Ata kërkojnë që kjo çështje të trajtohet me urgjencë nga kryetari i Komunës, Valbon Limani dhe të mundësohet ndjekje e procesit mësimor ashtu siç duhet.
Reagimi i plotë:
Përderisa temperaturat vazhdojnë të bien, sistemet e ngrohjes në shkollat komunale të Gostivarit ende nuk janë ndezur, duke i lënë nxënësit pa ngrohtësinë elementare të nevojshme për të vijuar procesin e mësimit. Prindërit janë gjithnjë e më të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre, të cilët kërkojnë një mjedis të ngrohtë dhe të qëndrueshëm mësimi. Është e papranueshme që fëmijët tanë të lihen në të ftohtë ndërsa presin veprime nga autoritetet lokale. I bëjmë thirrje UD (ushtruesit të detyrës) kryetarit të Komunës së Gostivarit që të ketë prioritet mirëqenien e nxënësve tanë dhe të punojë drejt zgjidhjes së shpejtë të kësaj çështjeje. Duhet të shpenzohet më pak kohë për fotografimet e tija dhe më shumë për t’u siguruar që çdo klasë në Gostivar të ngrohet siç duhet Banorët e Gostivarit apelojnë deri te kryetari i komunës që ta trajtojë këtë çështje me urgjencë, duke u mundësuar nxënësve që të fokusohen në mësimet e tyre dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë në një mjedis që plotëson standardet bazike të procesit arsimor.