Rinia e BDI-së Çair ka shprehur shqetësimin për gjendjen që po përshkon këtë komunë. Siç theksojnë ata janë aty për të ngritur zërin kundër kaosit urbanistik që ka përfshirë Çairin në vitet e fundit.
“Kjo komunë, sot, po shndërrohet në një xhungël betoni, ku ndërtime pa leje po mbijnë në çdo cep, pa asnjë plan, pa asnjë standard dhe pa asnjë përgjegjësi nga autoritetet lokale. Ky është një krim ndaj komunës dhe ndaj qytetarëve, të cilët çdo ditë përballen me rrugë të shkatërruara, trafik të paralizuar dhe mungesë të hapësirave publike. Çairi po mbytet nga ndërtimet pa kriter, ndërsa komuna hesht. Rrugët po shkatërrohen, infrastruktura është në kolaps, dhe qytetarët kanë gjithnjë e më pak hapësira për të jetuar me dinjitet. Askush nuk e di më kush jep leje, kush ndërton dhe kush përfiton nga ky kaos i organizuar. Por një gjë është e qartë: qytetarët janë viktimat, ndërsa pushteti dhe klientela e tij janë përfituesit”, theksojnë nga rinia e BDI-së.
Nga BDI kërkojnë përgjigje se kush qëndron pas kësaj. Ata bëjnë të ditur se do të nxjerrin në dritë çdo fakt, çdo emër dhe çdo skemë korruptive që ka çuar në këtë katastrofë urbanistike.
“Ne do të jemi këtu çdo ditë për të mbrojtur interesin publik dhe për të luftuar këtë degradim të organizuar të komunës tonë. Nuk do të heshtim dhe nuk do të ndalemi derisa përgjegjësit të japin llogari”, theksojnë nga BDI.