BDI: 11 dhjetori – Dita që mund të ndryshojë gjithçka, përgjegjësia për pasojat nuk është e jona!

Pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që më 11 Dhjetor ka vendosur të merr në shqyrtim kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të bashkëjetesës ndëretnike kanë reaguar nga BDI ku thonë:

“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që më 11 dhjetor të marrë në shqyrtim kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të bashkëjetesës ndëretnike. Çdo përpjekje për të shfuqizuar cilëndo dispozitë të këtij ligji nuk është thjesht një veprim juridik, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes që ky vend ka ndërtuar me shumë sakrifica.

Për më tepër, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të përkatësisë etnike shqiptare kanë deklaruar publikisht se do të bojkotojnë këtë seancë dhe vendimmarrje, duke e bërë edhe më të rrezikshme një vendim të njëanshëm për të shfuqizuar dispozitat e Ligjit për Gjuhët. Ky bojkot është një tregues i fortë se këto përpjekje për të goditur 10 nene të këtij ligji kanë natyrë thellësisht diskriminuese dhe synojnë të “vrasin” gjuhën shqipe në mënyrë institucionale.

Ky ligj është produkt i një kompromisi të ndërlikuar, i arritur pas viteve të mundimshme negociatash dhe është themeli i barazisë ndëretnike dhe respektit të ndërsjellë. Një vendim që do të cënonte këtë ligj do të përfaqësonte një shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një kthim pas drejt një të ardhmeje të pasigurt dhe të trazuar.

Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron këtë moment si një pikë kritike, ku çdo veprim që synon të prishë këtë balancë delikate është kapërcim i Rubikonit. Nëse një herë që kjo vijë kalohet, nuk do të ketë më kthim pas! Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme, dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë.

U bëjmë thirrje qytetarëve, liderëve politikë dhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë menjëherë për të parandaluar këtë akt që rrezikon stabilitetin e vendit dhe të rajonit. Shqiptarët dhe të gjitha komunitetet që besojnë në drejtësi dhe barazi nuk mund të heshtin përballë këtij kërcënimi.

Ky nuk është një moment për të qëndruar indiferentë. Ky është një moment për të zgjedhur anën e drejtë të historisë. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin, por përgjegjësia për pasojat do të jetë mbi ata që kanë zgjedhur ta sfidojnë këtë paqe dhe të rrezikojnë të ardhmen e vendit” – thuhet në kumtesën e BDI-së. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share