BBC: Pse viti 2023 ishte i pakëndshëm për Perëndimin

Ky vit ka pasur një numër pengesash për SHBA-në, Europën dhe demokracitë e tjera të mëdha në skenën e politikës ndërkombëtare. Asnjë prej tyre nuk ka qenë shkatërrimtare, për momentin. Por ato tregojnë një ndryshim të ekuilibrit të fuqisë nga vlerat perëndimore të dominuara nga SHBA-ja dhe që kanë pasur ndikim për vite me radhë. Në disa fronte, era fryn në drejtim të kundërt të interesave perëndimore. BBC shpjegon pse dhe çfarë përfitimesh vijnë nëse merren ndryshime.

Ukraina

Pavarësisht disa sukseseve kohët e fundit në Detin e Zi, lufta nuk po shkon mirë për Ukrainën. Në mënyrë të përgjithshme kjo nënkupton se po shkon keq për NATO-n dhe BE-në, të cilat kanë financuar përpjekjet luftarake të Ukrainës dhe kanë hedhur miliarda dollarë në ekonominë e tyre. Vitin e kaluar, shpresat në NATO ishin të larta se duke furnizuar me pajisje moderne ushtarake dhe trajnime intensive në vendet Perëndimore, ushtria e Ukrainës mund të kishte avantazh në territorin që kishte marrë vjeshtën e kaluar dhe të largonte trupat ruse. Kjo nuk ka ndodhur.

Problemi ka qenë ai i kohës. Vendeve të NATO-s iu desh pak kohë që ta ndanin mendjen nëse do të guxonin të nisnin tanke moderne si Challenger 2 i Britanisë apo Leopard 2 i Gjermanisë në Ukrainë për shkak se mund  të provokonte Presidentin Vladimir Putin në ndonjë hakmarrje të mundshme.

Në fund, Perëndimi i çoi tanket dhe Presidenti Putin nuk bëri asgjë. Por kur ato u dërguan në fushëbetejë në Qershor, komandantët rusë e kishin parë hartën dhe kishin hamendësuar me saktësi se ku do të ishin përpjekjet kryesore të Ukrainës. Ata kishin kuptuar se Ukraina do të avanconte në jug nëpërmjet Zaporizhias drejt Detit Azov.

Ushtria ruse mund të mos ketë performuar në mënyrën më të jashtëzakonshme në përpjekjet e saj për të kapur Kievin në vitin 2022, por aty ku shkëlqen është pikërisht mbrojtja. Gjatë kohës që brigadat ukrainase stërviteshin në Britani apo diku tjetër në gjysmën e parë të vitit 2023 dhe tanket po dërgoheshin në drejtim të lindjes, Rusia ndërtoi linjat më të mëdha dhe më të gjera të fortifikimeve mbrojtëse në historinë moderne.

Mina kundër tankeve, mina kundër njerëzve, bunkerë, kanale, kurthe për tanke, dronë dhe artileri. Të gjitha këto kombinime me një qëllim, për të hedhur poshtë planet e Ukrainës. E kështu kundërsulmi i përfolur aq shumë dështoi. Për Perëndimin dhe Ukrainën, llogaritë janë pothuajse në drejtimin e gabuar. Ukraina ka mungesë të madhe të municioneve dhe ushtarëve. Kongresi amerikan po frenon përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të kaluar një paketë mbështetje ushtarake prej 60 miliardë Dollarësh. Hungaria nga ana tjetër po frenon paketën e ndihmës prej 50 miliardë Eurosh të BE-së.

Njëra prej këtyre paketave, ose ndoshta dhe të dyja, mund të kalojnë një ditë, por mund të jetë tepër vonë. Forcat ukrainase tashmë duhet të kalojnë në mbrojtje. Ndërkohë Moska e ka vendosur ekonominë e saj në bazë të luftës duke i kushtuar një të tretën e buxhetit të saj kombëtar mbrojtjes. Po ashtu me mijëra njerëz dhe predha artilerie janë hedhur në vijat e frontit të Ukrainës. Qartësisht situata është thellësisht shumë zhgënjyese për Ukrainën, e cila kishte shpresuar që tashmë ta kishte kthyer luftën në favorin e saj. Por pse i intereson kjo Perëndimit? I intereson sepse Presidenti Putin, i cili dha personalisht urdhrin për pushtim afro dy vjet më parë, ka nevojë vetëm që të mbajë territoret që ka pushtuar (rreth 18% të Ukrainës) që të shpallë një fitore.

NATO ka mbështetur po ashtu në luftë aleatin e saj, Ukrainën. Të gjitha përfundojnë në dështim të turpshëm nëse Rusia nuk tërhiqet. Ndërkohë shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, të gjitha anëtare të NATO-s, janë të bindura se nëse Putin ka sukses në Ukrainë, do të vijojë me ta brenda pesë viteve.

Vladimir Putin

Vladimir Putin është një person në kërkim. Epo vetëm në teori. Në Mars të vitit 2023, ai u padit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë se bashku me komisioneren e tij për të Drejtat e Fëmijëve për krime lufte të kryera kundër fëmijëve ukrainas. Perëndimi shpresoi se kjo do ta bënte që të mos udhëtonte nga frika e arrestimit dhe deportimit në Hagë. Por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur.

Që nga ky moment, Putin ka qenë në Kirgistan, Kinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabi Saudite duke u mikpritur gjithmonë me një tapet të kuq. Ai ka marrë pjesë virtualisht edhe në samitin e Brics-it në Afrikën e Jugut. Raund pas raundi, sanksionet e BE-së, supozohej ta gjunjëzonin ekonominë ruse, duke detyruar Putin që të hiqte dorë nga pushtimi. Megjithatë deri më tani, Rusia ka provuar që të jetë elastike ndaj këtyre sanksioneve duke siguruar shumë produkte përmes vendeve të tjera si Kina dhe Kazakistani. Është e vërtetë që Perëndimi është larguar nga gazi dhe nafta ruse, ama Moska ka gjetur klientë të tjerë të gatshëm pavarësisht se me një çmim më të ulët.

Fakti është se ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Putini konsiderohet i neveritshëm nga vendet perëndimore, nuk ndodh e njëjta gjë në një masë të madhe të vendeve të tjera të botës. Shumë shtete e shohin këtë si problemin e Europës, me disa që fajësojnë NATO-n se provokoi Rusinë duke u zgjeruar shumë në lindje. Por këto kombe duken të pavëmendshme ndaj torturave dhe abuzimeve në shkallë të gjerë të kryera nga trupat pushtuese të Rusisë.

Gaza

Perëndimi ka dy standarde, i kanë thënë ministrat arabë gjatë një samiti në Riad gazetarit të BBC, Frank Gardner. Kur ai i ka pyetur pse, ata i janë përgjigjur se Perëndimi pret që vendet arabe të dënojnë Rusinë për vrasjen e civilëve në Ukrainë kur refuzojnë një armëpushim në Gaza aty ku po vriten mijëra civilë.Lufta Izrael-Hamas ka qenë qartësisht katastrofike për palestinezët dhe ata izraelitë të prekur nga sulmi i Hamasit më 7 Tetor. Ka qenë keq edhe për Perëndimin. Ngjarja devijoi vëmendjen botërore nga aleati i NATO-s, Ukraina, dhe përpjekjet e saj për të ndaluar avancimin rus këtë dimër.

Ka devijuar edhe ndihmën e SHBA-së me municione duke ia hequr Kievit në favor të Izraelit. Por mbi të gjitha, në sytë e shumë myslimanëve dhe njerëzve të tjerë rreth globit, e kanë bërë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar të duken bashkëfajtore në shkatërrimin e Gazës duke mbrojtur Izraelin në OKB. Rusia, forcat ajrore të së cilës bombarduan qytetin e Aleppos në Siri, ka parë rritje të ndikimit të saj në Lindjen e Mesme që prej 7 Tetorit. Lufta është përhapur deri në Detin e Kuq, ku grupi Houthis i mbështetur nga Irani ka lëshuar sulme.

Irani

Irani dyshohet se po zhvillon në mënyrë të fshehtë një armë bërthamore, të cilën e mohon. Pavarësisht përpjekjeve Perëndimore, Irani është larg të qenit i Izoluar pasi ka zgjeruar tentakulat ushtarake në Irak, Siri, Liban, Jemen dhe Gaza nëpërmjet milicive që financon, trajnon dhe armatos.

Ky vit e ka parë këtë shtet që të farkëtojë një aleancë edhe më të afërt me Moskën, të cilën e furnizon edhe me dronë Shahed, të cilat në fund nisen drejt qyteteve të Ukrainës në luftë. Irani përcaktohet si kërcënim armiqësor nga disa vende perëndimore. Tashmë ajo ka përfituar edhe nga lufta e Gazës duke u pozicionuar në Lindjen e Mesme si një kampion i çështjes palestineze.

Rajoni Sahel në Afrikë

Një nga një, vendet e rajonit Sahel në Afrikën Perëndimore janë përfshirë në puçe ushtarake që kanë parë më pas dëbimin e forcave europiane, të cilat po ndihmojnë të luftohet një kryengritje xhihadiste në rajon. Ish-kolonitë franceze të Malit, Burkina Faso, Republika e Afrikës Qendrore ishin kthyer ndërkohë kundër Europës kur në Korrik ndodhi një grusht ushtarak për heqjen e Presidentit pro-Perëndimor në Niger. Trupat franceze janë larguar nga vendi. Atje vijojnë të qëndrojnë 600 trupa amerikane në dy baza.

Mercenarët rusë të grupit rusë të Wagner-it janë ata që kanë zëvendësuar trupat franceze. Ata kanë arritur shumë marrëveshje fitimprurëse biznesi pavarësisht vdekjes misterioze të udhëheqësit të saj, Yevgeny Prigozhin në Gusht. Edhe Afrika e Jugut, dikur e parë si aleate perëndimore, ka kryer stërvitje të përbashkëta detare me luftanijet ruse dhe kineze.

Koreja e Veriut

Republika Demokratike Popullore e Koresë supozohet të jetë nën sanksione të forta ndërkombëtare për shkak të programit të saj bërthamor. Megjithatë këtë vit, ky vend ka farkëtuar lidhjet e afërta me Rusinë.

Kim Jong Un vizitoi një stacion hapësinor rus këtë vit. Kjo vizitë erdhi pas raportimeve se Koreja e Veriut i dërgoi 1 milion predha artilerie forcave ruse që luftojnë në Ukrainë. Koreja e Veriut ka testuar disa raketa balistike ndërkontinentale, të cilat tani besohet se janë të afta të arrijnë deri në SHBA.

Kina

Deri në një farë mase, 2023-shi ka parë një zbutje të tensioneve mes Pekinit dhe Uashingtonit. Mes presidentëve Joe Biden dhe Xi Jinping pati një samit të suksesshëm që u zhvillua në San Francisko.

Megjithatë Kina nuk ka treguar asnjë shenjë se do të tërhiqet nga pretendimet e saj mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore, duke nxjerrë një hartë “standarde” që shtrin pretendimet pothuajse deri në brigjet e disa vendeve të Azisë dhe Paqësorit.

Nuk ka hequr dorë as nga pretendimet mbi Tajvanin të cilin është zotuar se do ta marrë përsëri, me forcë nëse është e nevojshme.

Arsyet për optimizëm?

Në këtë sfond të zymtë për Perëndimin, ndoshta e vështirë të shohësh fije shprese. Por në anën pozitive, aleanca e NATOS-s ka rizbuluar qëllimin e saj mbrojtës të galvanizuar edhe nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Unanimiteti i Perëndimit deri më tani ka befasuar shumë njerëz, megjithëse kanë filluar të shfaqen disa të çara.

Në Lindjen e Mesme është potenciali më i madh për përmirësim. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të shkallës së tmerrshme që janë shpalosur në të dy anët e kufirit Gaza-Izrael. Përpara 7 Tetorit, kërkimi për zgjidhjen e çështjes së shtetit të ardhshëm palestinez ishte braktisur. Ishte krijuar një lloj vetëkënaqësie se marrëdhëniet mes Izraelit dhe palestinezëve mund të menaxhoheshin përmes masave të sigurisë, pa pasur nevojë të bëhej ndonjë lëvizje serioze për t’u ofruar një shtet të tyrin.

Duket se kjo formulë rezultoi fatale. Liderët botërore kanë thënë publikisht se izraelitët nuk do të jenë në gjendje të jetojnë në paqe dhe sigurisë nëse palestinezët nuk bëjnë të njëjtën gjë. Gjetja e një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për një problem që shtrihet në histori do të jetë tepër i vështirë dhe do të përfshijë kompromise të dhimbshme dhe sakrifica nga të dyja palët nëse do të ketë sukses. Por tani më në fund, ka marrë vëmendjen e gjithë botës.

Shkrim nga BBC

Përshtati Tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share