Bastisjet izraelite vrasin qindra persona në Rafah

Lirohen dy pengje izraelite të cilët mbaheshin në këtë qytet jugor, alarmi ndërkombëtar rritet mbi ofensivën tokësore

Qindra njerëz, duke përfshirë fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore jashtëzakonisht intensive në Rafah ndërsa alarmi ndërkombëtar rritet mbi ofensivën tokësore të planifikuar të Izraelit në qytetin jugor të Gazës.

Më shumë se 100 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pasi avionët luftarakë shënjestruan zona të ndryshme të qytetit dhe helikopterët bombarduan zonat kufitare. Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet më tej pasi njerëzit mbeten të bllokuar nën rrënoja dhe ka ende një prani të madhe të avionëve luftarakë mbi Rafah.

Pamjet e siguruara tregojnë një skenë kaotike brenda spitalit Al Kuvajti të Rafah, me mjekë që përpiqeshin t’ju jepnin ndihmën e parë fëmijëve të plagosur. Ministria e jashtme palestinezë ka “dënuar në termat më të ashpër masakrat masive” që forcat izraelite vazhdojnë të kryejnë kundër njerëzve të zhvendosur. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka përsëritur thirrjen për një armëpushim.

Sulmet erdhën teksa ushtria izraelite shpëtoi dy pengje gjatë një operacioni special të kryer gjatë natës në Rafah, në jug të Gazës. Pengët janë 60-vjeçari Fernando Simon Marman dhe 70-vjeçari Louis Har, të cilët u rrëmbyen të dy 128 ditë më parë gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Të dy janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në një Qendër Mjekësore.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant përshëndeti “operacionin mbresëlënës të çlirimit” duke thënë se ai kishte ndjekur operacionin në Qendrën e Komandës së bashku me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe komandantët e lartë. Të dy pengjet ishin rrëmbyer nga fshati pranë kufirit me Gazën me 7 tetor. Pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një ndërtese e cila shpërtheu gjatë bastisjes.

Presidenti i SHBA Joe Biden një ditë më parë i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu se Izraeli nuk duhet të nisë operacionin ushtarak në Rafah pa një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë e rreth 1 milion njerëzve të strehuar atje. Agjencitë e ndihmës thonë se një sulm në Rafah do të ishte katastrofik. Është vendi i fundit relativisht i sigurt në një enklavë të shkatërruar nga ofensiva ushtarake e Izraelit.

Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të zhvillojë një plan për të evakuuar Rafah dhe për të shkatërruar katër batalione të Hamasit për të cilat thotë se janë vendosur atje. Egjipti ka kërcënuar me pezullimin e traktatit të paqes me Izraelin, nëse trupat izraelite dërgohen në qytetin kufitar Rafah,të Gazës.

Gjithashtu edhe Katari, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë paralajmëruar gjithashtu për pasoja të rënda nëse Izraeli dërgon forca tokësore në Rafah. Përplasja mes Izraelit dhe Egjiptit, dy aleatë të ngushtë të SHBA-së, vjen ndërsa grupet e ndihmës paralajmërojnë se ofensiva në Rafah do të përkeqësonte situatën tashmë katastrofike humanitare në Gazë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share