Nëpunësit e policisë të Departamentit për Polici Kriminale pranë Byrosë për Siguri Publike të MPB-së, Sektori për Krim Ekonomik dhe Korrupsion, Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzika Digjitale, SPB Shkup dhe inspektorë nga DAP-i, pardje me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Shkup, kanë bastisur shtëpitë në dy lokacione në Shkup, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “organizim të lojërave të fatit pa licencë gjegjësisht leje nga organi kompetent”, të parashikuar dhe të dënueshme sipas nenit. 156 të Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese.
Siç informoi MPB-ja, gjatë bastisjeve në objekte janë gjetur dhe sekuestruar 50 kompjuterë laptop, 351 telefona celularë, 237 SIM kartela, 14 kompjuterë dhe 3 DVR nga kamerat e vëzhgimit. Gjithashtu, në objekte janë gjetur 16 persona, prej të cilëve 11 shtetas të Turqisë, për të cilët është njoftuar Sektori për të Huaj, ndërsa tre persona janë arrestuar me urdhër të PTHP Shkup dhe janë dërguar para prokurorit publik.
Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të bëhen kallëzime penale përkatëse.