Klubi I basketbollit “Çair 2030” vazhdon me serinë e fitoreve në Ligën e parë të basketbollit të Maqedonisë së Veriut, mbrëmë në palestrën e sportit “Shaban Trstena” mundën ekipin e Kozhufit nga Gjevgjelia me rezultat 88:84.
Skuadra e nga Çairi nisi keq lojën, duke lejuar kundërshtarin që të krijon epërsi prej 17 pikëve, por në pjesën e dytë ndodhi një mrekulli pasi djelmoshat e trajnerit Erhan Ramadani me lojë të shkëlqyer dhe me përkrahjen fenomenale të publikut arritën të përmbysin diferencë që në fund të shënojnë fitore spektakolare. Për ekipin “Çairi 2030” ishte fitorja e pestë nga gjithësejt gjashtë ndeshje të zhvilluara në kampionatin 2023/2024.
Më efikas te skuadra vendase ishin Mofit i cili realizoi 32 pikë dhe katër asiste, Korbet 19 pikë e 11 kërcime dhe Nacevski me 12 pikë.
Pas ndeshjeve të javës së gjashtë, kjo është renditja në tabelë: MZT Skopje 11 pikë, Çair 2030 11 pikë, TFT Mozart 11 pikë, “Euro Nikel 2005” 8 pikë, Rabotnicki 8 pikë, Pelisterri 8 pikë, “Feniks 2010” 8 pikë, Gostivari 8 pikë, Vardari 7 pikë, Ohrid 7 pikë, Kozhufi 7 pikë, Naviko Akademija FMP 5 pikë.