Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ndeshjen e dytë çerekfinale të Euroleague mes Real Madrid e Partizan Beograd, luajtur në Spanjë. 1 minutë e 40 sekonda nga fundi i ndeshjes, pas një faulli të spanjollit Sergio Llull (Real) ndaj amerikanit Kevin Punter (Partizan), nisi një sherr masiv, ku u përfshinë lojtarët në fushë, ata të stolit dhe si dhe stafet përkatëse.
Amerikani Punter reagoi ashpër ndaj Llull pas faullit të këtij të fundit, duke bërë që të nisë një sherr, që solli rrëmujë e kaos në fushë. Situata u tensionua për gati 1 minutë dhe më pas gjyqtarët morën kontrollin e situatës në dorë, duke nisur ndëshkimet nga të dyja palët. Gjithsesi, ndeshja nuk rinisi më dhe skuadra serbe fitoi 95-80, duke udhëhequr 2-0 serinë e takimeve.
Euroleague sqaroi: “Rezultati 95-80 në favor të Partizan homologohet. Kur u aplikuan dënimet e gjyqtarëve ndaj basketbollistëve të përfshirë në sherr dhe përjashtimeve që u aplikuan, asnjë nga ekipet nuk kishte numrin minimal të lojtarëve të lejuar për të mbyllur ndeshjen. Ndaj ajo u konsiderua e përfunduar”.
Ajo që e pësoi më keq nga kjo ngjarje është skuadra e Partizan, pasi australiani Dante Exum ka këputur tendinën e njërit prej gishtave të këmbës si dhe një dhemb të thyer pas përplasjes që pati nga Guerschon Yabusele. Lojtari doli nga fusha me paterica. Euroleague deklaroi se komisioni i disiplinës do të marrë masa ekstreme për këtë ngjarje. Ndeshja e tretë do të luhet të martën në Beograd, por do të ketë mjaft mungesa nga të dyja palët.
Euroleague-Çerekfinale:
Olympiacos – Fenerbahce, (1-0)
Monaco – Maccabi Tel Aviv, 86-74 (1-1)
Real Madrid – Partizan Beograd, 80-95 (0-2)
Barcelona – Zalgiris Kaunas, (1-0)