Basha i përgjigjet Berishës: I kam kërkuar të ikë me dinjitet që të mos ‘vdesë’ politikisht me turp sepse ka marr peng PD-në

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha i përgjigjet sulmeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, ky i fundit nën arrest shtëpie prej 30 Dhjetorit 2024 dhe i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK prej javës së kaluar për akuzën “korrupsion pasiv”, për dosjen “Partizani”.

Basha e akuzon Berishën se për hallin e tij ka marrë peng PD-në dhe po minon opozitën duke i shërbyer Ramës.

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, shprehet ndër të tjera se “është trishtim i madh përçartja e tij (Berishës) dhe se para tre vitesh i kam kërkuar të largohet me dinjitet që të mos “vdesë” politikisht me turp”.

Në postimin e tij në Facebook, Basha thotë se shqetësim nuk është më halli i Berishës, por minimi i opozitës dhe shërbimi ndaj Ramës.

“Berisha e mori partinë për t’u mbrojtur nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe se i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës, që në këmbim të marrë vulën e PD”, shkruan ai.

Basha shprehet se “Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha”, që “punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë”.

Reagimi i plotë i Bashës:

Trishtim që pas tre vjetësh mashtrime e dështime të vazhdosh të dëgjosh përçartjet e Sali Berishës. Ajo që i kam kërkuar tre vite më parë është të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp.

Ai qartazi ka zgjedhur këtë të dytën. Por mua nuk më shqetëson më halli personal i Sali Berishës, por fakti se për hallin e tij ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës.

Siç e kam thënë tre vjet më parë, koha është ilaçi më i mirë dhe mbart të vërtetë më të madhe. Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe.

Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të amnistuar të korruptuarit e Edi Ramës ndërkohë që mban në ndjekje penale protestuesit demokratë, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të mbyllur listat, duke i dhënë më shumë pushtet Edi Ramës.

Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share