Mattel ka prezantuar versionin e parë të Barbie që e sjell kukullën e famshme si një person me sindromën Down.
Kukulla e re është pjesë e linjës Fashionista të kompanisë, e cila synon që t’iu tregojë fëmijëve përfaqësime të ndryshme të bukurisë dhe të luftojë stigmën ndaj aftësive të kufizuara fizike.
Mattel u shpreh se ka bashkëpunuar me Shoqatën Kombëtare të Sindromës Down në SHBA për të krijuar formën e kukullës, tiparet, veshjen, aksesorët dhe paketimin që të sigurohej se portretizon një person me këtë sindromë. Kjo e fundit prek aftësitë konjitive duke shkaktuar probleme të shkallës mesatare deri në të rënda të të mësuarit dhe shoqërohet me karakteristika të dallueshme fizike.
Kompania ka deklaruar se versioni i ri i kukullës është parë edhe nga një mjek dhe paraqet një fizik ilustrues të grave me sindromën Down, që kanë siluetë të shkurtër dhe trung trupor më të gjatë.
Fytyra ka trajtë rrumbullake, veshë më të vegjël, kurriz hunde të sheshtë dhe sytë janë në formë bajameje. Pëllëmbët e duarve kanë vetëm një vijë, një karakteristikë e lidhur me personat me sindromën Down, sipas Mattel.
Barbie ka gjithashtu mbështetëse rozë te këmbët ndërsa fustani i saj ka flutura blu dhe të verdha, simbole që janë të lidhura me ndërgjegjësimin ndaj personave me sindromën Down.
Varësoja e kukullës ka tre shirita që përfaqësojnë tre kopjet e kromozomit të 21-të, i cili është materiali gjenetik që shkakton sindromën Down./tvklan.al