Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së qeverive Shqipëri-Maqedoni e Veriut u shpreh se ia vlen që të vazhdohet me nismën “Ballkani i Hapur”. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve shqiptarë, Rama u shpreh se në fund do të mbetemi me “Ballkanin e Hapur”, pasi “Procesi i Berlinit nuk do të jetë i përjetshëm ndërkohë që Ballkani është i përjetshëm”. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se nuk beson që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të merren përdore gjithmonë nga të tjerët.
“Ia vlen edhe më shumë sepse kështu ndërron vendin lokomotiva me vagonët dhe Procesi i Berlinit është një lokomotivë, e cila ka tërhequr të gjithë liderët e rajonit dhe rajonin në një rrugëtim të ri, ndërkohë që në një moment të caktuar ajo lokomotivë u mor peng nga vagonët. Dhe duke e ndryshuar raportin ne kemi praktikisht shtyrë procesin përpara duke dhënë një mesazh të qartë që nuk kemi pse presim për të jetësuar pikërisht ato parime që janë të Procesit të Berlinit. Në fund fare do të mbetemi me “Ballkanin e Hapur” se procesi i Berlinit nuk do të jetë i përjetshëm ndërkohë që Ballkani është i përjetshëm. Dhe nuk besoj që në jetë të jetëve duhet të na marrin përdore të tjerët, apo jo?”, u shpreh Rama.
Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski, shtoi se “Ballkani i Hapur” dhe Procesi i Berlinit nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.
“Open Balkan dhe Procesi i Berlinit, nuk janë në kundërshtim mes veti. Ato janë dy procese kompatabile. Shtetet që janë pjesë e Procesit të Berlinit janë pjesë e “Open Balkan”. Nëse i shkoni marrëveshjet që kemi firmosur, janë identike që tre vendet tona i kanë firmosur dhe ratifikuar. Bazat ku bazohet “Open Balkan” janë katër liritë në të cilat jeton apo është edhe BE. Marrëveshjet që u firmosën në Berlin janë të deponuara në RMV. Marrëveshjet janë deponuar në Ministrinë e Jashtme të RMV”, u shpreh Kovaçevski./tvklan.al