Zjarret kanë përfshirë një vendpushim në Malin e Zi ndërsa në Bullgarinë qendrore situata vijon të jetë e vështirë
Helikopterët e ushtrisë malazeze hodhën ujë mbi zjarrin i cili shpërtheu në një zonë të popullarizuar nga turistët në Gjirin e Bokës.
Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi tha se dy helikopterë të ushtrisë kaluan nëntë orë për të shuar zjarrin në Boka Kotor me rreth 80 ton ujë të lëshuar gjatë operacionit pranë Morinjes në pjesën veriore të Gjirit të Bokës.
Qeveria e Kroacisë njoftoi se do të dërgojë një aeroplan Canadair për të mbështetur shërbimet malazeze për të shuar flakët të cilat rrezikojnë edhe banesat. Në fillim të këtij muaji Mali i Zi por edhe Kroacia u përfshinë nga zjarre duke detyruar autoritetet lokale të evakuojnë fshatrat. Qindra hektarë tokë u dogjën dhe dëmet ishin të mëdha.
Ndërkaq zjarrfikësit po luftojnë me shpërthimet e zjarrit në Bullgarinë qendrore. Pamjet me dron tregojnë zona të gjera të shkatërruara si dhe tymi i dendur që ngrihet si dhe fusha të djegura.
Në Haskovë, kryetari i shërbimeve lokale të zjarrfikësve tha se zjarri është i vështirë të frenohet, me erëra të forta që fryjnë dhe disa zona janë të vështira për t’u arritur për zjarrfikësit . Rreth 100 hektarë u dëmtuan dhe zjarri dogji lloje të rrallë lisash. Rreth 25 zjarrfikës dhe punonjës të pylltarisë shtetërore ndodhen në vendngjarje, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në Pustrovo, një fshat i vogël në lokalitetin Stara Zagora, shtëpitë janë shkatërruar nga zjarri. Moti i thatë dhe i nxehtë në Europë këtë verë çoi në episode të shumta zjarresh në Bullgari. Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë i Bullgarisë ka aktivizuar nivelin maksimal të alarmit duke përfshirë Bullgarinë qendrore.
Në Europë, Franca vijon të ketë situatë kritike. Zjarret shkatërruese kanë shkatërruar më shumë se 6000 hektarë tokë dhe kanë djegut mbi 20 banesa. Më shumë se 1000 zjarrfikës dhe tetë avionë u vendosën gjithashtu në dispozicion për të shuar flakët. Shuarja e zjarreve po vështirësohet shumë nga thatësira më e keqja që ka goditur Francën në 40 vitet e fundit.
Në fshatin e afërt Hostens, policia u ka bërë thirrje banorëve të largohen pasi zjarret mund të intesifikohen. Ndërkaq një shtresë gjigande tymi filloj të përhapej mbi fshatin Belin-Beliet në Francën jugperëndimore duke kërcënuar kështu banesat. Temperaturat në rajonin e Bordosë, por jo vetëm pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Klan News