Deputeti i Frontit Evropian Elmi Aziri njoftoi se deputetët në Kuvend kanë deponuar sot nënshkrimet e tyre për propozim ligjin për Lojërat e Fatit, të cilin një ditë më parë e dorëzuan në Kuvend.
Ndryshimet e propozuara parashohin mbylljen e të gjitha objekteve të lojërave të fatit në vendbanime dhe veprimi i tyre vetëm në hotele me pesë yje.
Me këtë ligj, kazinot, bastoret dhe objektet e tjera të bixhozit thonë se do të largohen nga shkollat, lagjet, fshatrat dhe vendbanimet tona dhe do të jenë vetëm në objekte të caktuara, gjegjësisht në hotele me pesë yje.
I bëjnë thirrje koalicionit VLEN, që ta mbështesin
“Ftojmë deputetët e VLEN që t’i bashkëngjiten propozimit tonë dhe të realizojnë premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore për mbylljen e kazinove. Gjithashtu i ftojmë ata që të kërkojnë edhe nga partnerët e tjerë të shumicës parlamentare që të mbështesin ligjin si në fazën e propozimit ashtu edhe gjatë votimit në seancë. Mbështetje presim edhe nga deputetët e partive të tjera parlamentare të cilët ua duan të mirën qytetarëve”, ka deklaruar Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Zijadin Selës. /Shenja