Autoritetet italiane në kërkim të Roland Dedjes, shqiptari u arratis nga burgu i Teramos

Ky 39-vjeçar shqiptar është kthyer në të kërkuarin “numrin 1” prej 48 orësh të autoriteteve italiane në rajonin e Abrucos. Roland Dedja arriti të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Teramos natën e së dielës.

Mediat italiane thonë se shqiptari, i cili ishte dënuar për trafik droge, vuri në jetë një plan të mirëmenduar, i ndihmuar edhe nga jashtë burgut. Ai kishte prerë hekurat e dritares së qelisë së tij me një fill të veçantë dhe më pas kishte zbritur nga kati i tretë me anë të një litari.

Të gjitha këto mjete ia kishin çuar në dritare me anë të një droni fluturues. Hetuesit e kanë kuptuar vetëm mëngjesin e së hënës se shqiptari mungonte në qelinë e tij. Mediat italiane thonë se hetuesit janë duke këqyrur me imtësi kamerat e sigurisë së burgut dhe pranë tij për të kuptuar më shumë për lëvizjet dhe bashkëpunëtorët.

Roland Dedja, me origjinë nga Durrësi ka jetuar më parë në Spanjë dhe në Francë ku përdorte edhe një pasaportë çeke false. Kjo nuk është arratisja parë që 39-vjeçari ka kryer.

Në vitin 2010 ai arriti të arratiset nga burgu i Pisa së bashku me një tjetër shqiptar, pas së cilës kreu edhe një grabitje. Po në 2010-ën ai akuzohet se kreu edhe vrasjen e një tjetër shqiptari në një parkim makinash, ngjarje të cilën ai nuk e ka pranuar.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share