Kombëtarja shqiptare e futbollit është zhvendosur sot në Gjermani, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo do të marrin pjesë në Euro 2024.
Ekipi ka finalizuar përgatitjet në Austri dhe sot ka udhëtuar drejt aeroportit të Dyseldorfit, ku më pas ka marrë autobusin drejt qytezës së Kamen, që do të jete “shtëpia kuqezi” gjatë aventurës gjermane.
Gjatë kësaj periudhe në Gjermani, thuajse çdo gjë që ka lidhje me kuqezinjtë është personalizuar për ekipin, teksa edhe autobusi që do të transportojë skuadrën, ka një mesazh që i drejtohet tifozëve.
Dhe ai i përzgjedhur nga stafi i përfaqësues, është shumë i veçantë.
“Shqipëria bashkohet nga futbolli”, shkruhet në autobusin e kuqezinjve në gjuhën angleze.
Një mesazh i qartë që tregon se kjo Kombëtare ka bërë realitet atë që politika nuk e bën dot, siç e tregon edhe përbërja e saj me lojtarë që vijnë nga të gjitha trojet shqiptare. /tvklan.mk/