Australia miraton ligjin për ndalimin e rrjeteve sociale nën moshën 16 vjeç

Senatorët australianë kanë miratuar ligjin e parë në botë që ndalon të miturit nën 16 vjeç që të kenë llogari në rrjetet sociale. Ligji hyn në fuqi në nëntor 2025.

Në të parashikohen masat më të rrepta të kontrollit në botë të rrjeteve sociale dhe do të detyrojë platformat që të ndërmarrin hapa për t’u siguruar se verifikimi i moshës funksionon.

Platforma si TikTok, Instagram, Snapchat, Reeddit dhe X do të përballen me ligjin dhe gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë nëse nuk ndalojnë sistematikisht fëmijët nën 16 vjeç që të kenë llogari.

Rrjetet do të kenë një vit kohë në dispozicion për të përcaktuar si do ta zbatojnë ndalimin e llogarisë përpara se gjobat të fillojnë të veprojnë.

Në muajin shtator, kryeministri Anthony Albanese tha se qeveria e tij do të testonte teknologjinë e vërtetimit të moshës përpara se të ndalonte fëmijët që të hapin llogari në rrjetet sociale.

Asokohe, Meta e cila në platformat e saj si Facebook e Instagram ka si minimum moshën 13-vjeçare, tha se donte që të nxiste të rinjtë që të përfitojnë nga platformat dhe t’u sigurojë prindërve mjete për t’i mbështetur më shumë sesa “thjesht të mos hyjnë dot”.

Dhoma e Përfaqësuesve të Australisë ende nuk i ka miratuar amendamentet e bëra në Senat, por ky është thjesht një formalitet pasi qeveria tashmë ka rënë dakord për miratimin./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share