ATENTATI NDAJ TRUMP
Pas atentatit ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump, drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan pranoi dështimin. Ligjvënësit nga të dyja palët shprehën zemërim dhe ngritën pikëpyetje se si një person i armatosur arriti t’i afrohej kaq shumë Trump ndërsa kërkuan që shefja e shërbimit sekret amerikan të japë dorëheqjen edhe pse ajo ka refuzuar t’a bëjë.
Para ligjvënësve në një seancë dëgjimore në Kongres, drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan pranoi dështimin pas atentatit të ish presidentit Donald Trump në Pensilvani.
“Misioni solemn i Shërbimit Sekret është të mbrojë liderët e kombit tonë. Më 13 korrik dështuam. Si drejtore e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, unë marr përgjegjësinë e plotë për çdo mungesë sigurie të agjencisë sonë. Ne jemi duke bashkëpunuar plotësisht me hetimet në vazhdim. Ne duhet të mësojmë se çfarë ndodhi dhe unë do të bëj gjithçka që nevojitet që një incident si 13 korriku të mos përsëritet më”, tha Chetale.
Ligjvënësit shprehën zemërim dhe ngritën pikëpyetje se si një person i armatosur arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ishte i mbrojtur. Shërbimi Sekret ka pranuar se ka mohuar disa kërkesa të fushatës së Trump për masa shtesë sigurie në aktivitetet e tij para atentatit.
Megjithatë Cheatle, hodhi poshtë thirrjet dypartiake për të dhënë dorëheqjen për dështimet e sigurisë. Kryetari republikan i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, dhe kryedemokrati, Jamie Raskin i bënë thirrje Cheatle të japë dorëheqjen.
Raskin tha se Cheatle ka humbur besimin e Kongresit dhe është koha për të bërë ndryshime në Shërbimin Sekret Amerikan. Deri tani, ajo ka mbështetjen e presidentit amerikan Joe Biden dhe sekretarit të sigurisë kombëtare.
Shumë zyrtarë kanë bërë të ditur se para atentatit, forcat e zbatimit të ligjit ishin vënë në dijeni të veprimeve të dyshimta të autorit të sulmit në vendin ku po mbahej tubimi. Një pohim të tillë e kanë konfirmuar edhe dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm në tubim në Pensilvani ku agresori 20 vjeçar ndodhej 135 metra larg skenës ku ish-presidenti mbajti fjalimin para mbështetësve të tij. /tvklan.mk/