Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se, ka zbardhur rastin e sulmit me armë zjarri ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Policia ka arritur të identifikojë autorin e sulmit dhe kundër të njëjtit është ngritur kallëzim penal. Megjithatë organet e rendit, nuk kanë bërë të ditur motivet që çuan në të shtëna me armë zjarri ndaj kryetarit të komunës.
“Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, kanë ndërmarrë veprime të shumta operative taktike dhe hetimore, gjatë të cilave është konstatuar identiteti i autorit. Pas kompletimit të plotë të materialeve zyrtare dhe raporteve të kryera të ekspertizës, me datë 16.07.2024, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup është paraqitur kallëzim penal kundër M.A. (36) për veprën e kryer “vrasje e mbetur në tentativë”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal”, thanë nga MPB.
Rasti në fjalë ndodhi më 1 prill të këtij viti, ku personi me iniciale M.A. gjuajti me armë automatike ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës dhe disa të punësuarve të tjerë që po shoqëronin atë. Në momentin e sulmit, ata po kryenin inspektime në punimet ndërtimore të një rruge. Si pasojë e sulmit, dy të punësuar në komunë mbetën të plagosur.
Gjatë mandatit të tij në krye të komunës, Ibraimi ka marrë disa herë kërcënime me jetë. Në shtator të vitit të kaluar, ai u sulmua fizikisht nga disa persona. Ndërsa në maj të vitit të kaluar, pas kërcënimeve me jetë që Ibraimi mori nga një 69-vjeçar, Administrata Komunale ndërpreu punën për disa ditë, si masë për sigurinë e punonjësve të administratës komunale por edhe qytetarëve të cilët i drejtohen Komunës për të marrë shërbime. /tvklan.mk