Atentat kryeprokurorit të Bullgarisë, 3 kg tritol për ta vrarë

Kryeprokurori i Bullgarisë, Ivan Geshev, i ka shpëtuar pa dëmtime një shpërthimi që ndodhi të hënën pranë makinës së tij. Autoritetet e kanë përshkruar ngjarjen si një sulm që shënjestronte kreun e organit të akuzës në Bullgari.

Sipas asaj që shkruan Politico, autorët kishin vendosur një bombë në një kthesë rruge ku makinat në lëvizje duhet të ngadalësojnë. Kreu i Shërbimit Kombëtar të Hetimit, Borislav Sarafov, tha se bomba shpërtheu në momentin kur kaloi makina e Geshev. Autoritetet e kanë përshkruar ngjarjen si një “atentat të përgatitur profesionalisht dhe i vënë më së miri në zbatim”.

“Bomba kishte rreth 3 kilogramë tritol sipas ekspertëve”, tha Sarafov.

Si pasojë e shpërthimit është krijuar një krater me diametër rreth 3 metra dhe thellësi 30-40 centimetra. “Qartësisht bomba kishte për qëllim të vriste”, tha ai. Megjithatë, nga kjo ngjarje nuk pati asnjë të lënduar.

Në vitin vitit 2020, Geshev bashkë me kryeministrin asokohe, Boyko Borissov ishin shënjestrat e protestave. Ata e akuzonin kryeprokurorin se dështoi të ndiqte penalisht elitën e mafias së korruptuar, që sipas protestuesve ishte inflitruar në institucionet e larta të vendit.

Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share