Asociacioni i Fibrozës Cistike protestoi para Qeverisë

SEJFULLAI: ÇDO JETË ËSHTË E RËNDËSISHME

Asociacioni i fibrozës cistike sot kanë protestuar në mënyrë të qetë para objektit të Qeverisë, duke përsëritur kërkesën e tyre që shteti të sigurojë menjëherë mjete për sjelljen e terapisë së nevojshme për mjekimin e kësaj sëmundje. Fiki Gaspar nga ky asociacion tha se me ilaçin Trikafta, do të rritet kapacitet për zhvillim të personave të sëmurë dhe do të përmirësojë shëndetin mental të tyre por edhe të familjarëve të tyre.

“Kërkesa jonë për terapi moderne bazohet në përvojat pozitive që kanë pacientët me fibrozë cistike në vende të ndryshme në Evropë, si dhe në vendet e fqinjësisë sonë më të afërt – Greqi, Bullgari, Serbi, Republika Srpska, Kroaci, Slloveni, Mal të Zi, ku këto ilaçe janë të disponueshme, me çka na kanë ripërtërirë aspiratën dhe shpresën që edhe personat që jetojnë me këtë gjendje të vështirë në Maqedoni, të mund të përjetojnë moshën e rritur, të formojmë familjet e tyre dhe të ndjehen si të pjesëmarrës të barabartë në shoqërinë tonë” – tha Fiki Gaspar.

Ndërkohë, Elmir Sejfullai, pjesëmarrës në këtë protestë tha se, ky ilaç do t’ua lehtësonte vështirësinë personave të sëmurë, duke porositur se çdo jetë është e rëndësishme dhe të gjithë mund të kontribuojnë në pasurimin e ardhmërisë me ndihmën e duhur nga shteti.

“Dëshpërimi është shumë i madh, madje jam i sigurt se një pjesë e jona shpesh në vete është ndjerë i mallkuar se, pse ka lindur në një shtet që ka këtë qasje për jetët tona. Dje doli një pikë e vogël drite në fund të tunelit, por ne përsëri vendosëm që të jemi sot këtu që t’i japim mesazhin atyre që ne i kemi zgjedhur të ulen në kolltuqet e kësaj ndërtese prapa nesh” – deklaroi Elmir Sejfullai, protestues.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, realizoi të premten një takim me ministrin e Financave, Fatmir Besimi në lidhje me këtë temë. Pas takimit, Sali tha se, ilaçi Trikafta do të sigurohet fillimisht për 8 pacientë me fibrozë cistike, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share